Lidhje

Gjyqësori më konservator, një trashëgimi e Presidentit Trump


FILE: A person holds a sign during a rally to protest the results of the election, in front of the U.S. Supreme Court, in Washington, Dec. 12, 2020.
FILE: A person holds a sign during a rally to protest the results of the election, in front of the U.S. Supreme Court, in Washington, Dec. 12, 2020.

"Gjykata e Lartë vërtet na zhgënjeu", u shpreh i zemëruar Presidenti amerikan Donald Trump në Twitter më 12 Dhjetor. "Nuk tregoi as pjekuri, as guxim”, shkroi ai.

Komenti u bë vetëm disa orë pasi gjykata e lartë hodhi poshtë një padi gjyqësore të paraqitur nga Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit kundër katër shteteve fushë-betejë që zoti Trump humbi ndaj Presidentit të zgjedhur Joe Biden. Padia kërkonte të përmbyste rezultatet e zgjedhjeve, por gjykata nuk pranoi as t’i merrte në shqyrtim.

Nuk ishte hera e parë që Gjykata e Lartë zemëronte Presidentin Trump me një vendim që ai nuk e dëshironte. Vetëm pesë ditë para kësaj, gjyqtarët ishin deklaruar njëzëri kundër një përpjekjeje tjetër republikane për të zhbërë fitoren e zotit Biden në Pensilvani.

Edhe pse gjykata nuk pranoi të përfshihej në përpjekjet, pa gjasa suksesi, të zotit Trump për të zhbërë rezultatet e zgjedhjeve, presidenti në largim përsëri mund t’i njohë vetes meritën se e ka bërë Gjykatën e Lartë - dhe përgjithësisht gjyqësorin në shkallë federale - më konservator.

Për një president me një mandat, zoti Trump ka patur një sukses të jashtëzakonshëm me emërimet e tij në Gjykatën e Lartë. Në vetëm katër vjet, ai emëroi tre gjyqtarë - më shumë se çdo president tjetër me një mandat që nga Richard M. Nixoni - duke hedhur bazat për një ndryshim dramatik në rrafshin ideologjik të Gjykatës, e cila ka tani një shumicë të re 6-3 konservatore.

Dy të emëruarit e parë të Presidentit Trump në Gjykatë, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh, zëvëndësuan dy gjyqtarë të emëruar në të kaluarën nga presidentë republikanë. Ndërsa, e emëruara e tij e tretë dhe e fundit, Amy Coney Barrett, zëvendësoi të kundërtën e saj polare, ikonën liberale Ruth Bader Ginsburg.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë Neil Gorsuch, majtas, dhe Brett Kavanaugh
Anëtarët e Gjykatës së Lartë Neil Gorsuch, majtas, dhe Brett Kavanaugh

"Është një gjykatë me një epërsi 6-3 pas shumë vitesh të ekuilibruara 5-4 midis konservatorëve dhe liberalëve," tha Melissa Murray, profesore e së drejtës në Universitetin e Nju Jorkut.

Me një shumicë konservatore 5-4, mjaftonte votimi kundër i vetëm një konservatori që të çonte në një rezultat liberal, tha zonja Murray. Kjo votë vendimtare e pestë hidhej shpesh nga kreu i Gjykatës, konservatori i moderuar John Roberts.

Tani, me një supershumicë të hekurt 6-3 për konservatorët, “gjendja është shumë e ndryshme nëse shohim drejt së ardhmes", tha ajo, duke shtuar se vota e gjyqtarit Roberts nuk është më e rëndësishme.

Për më tepër, mosha relativisht e re e të emëruarve të Presidentit Trump siguron jetëgjatësinë e tyre në gjykatë. Mosha e tyre mesatare është 52 vjeç. Barrett, 48-vjeçare, është më e reja. Ajo është 39 vjet më e re se sa paraardhësja e saj. Kjo do të thotë që edhe shumë kohë pasi zoti Trump të jetë larguar nga Shtëpia e Bardhë, ndikimi i tij në Gjykatën e Lartë do të vazhdojë të ndihet, thotë Andrew Hessick, profesor i së drejtës në Universitetin e Karolinës së Veriut.

"Ata do të jenë të gjithë potencialisht në detyrë, edhe për 30 vjet apo më shumë. Kjo është një kohë mjaft e gjatë dhe mund të ketë një ndikim mjaft të rëndësishëm në çështje të veçanta," thotë profesor Hessick.

Ndikimi i gjykatës së lartë mund, nga ana tjetër, të ndihet në të gjithë drejtësinë federale, ku Presidenti Trump ka caktuar më shumë se 200 gjyqtarë mjaft konservatorë, thotë ai.

Zhvendosja ideologjike e gjyqësorit

Në dekadat e fundit, disa gjyqtarë të emëruar nga republikanët janë zhvendosur majtas, duke rritur mundësinë që një ose më shumë të emëruar të zotit Trump të ndjekin rrugën e tyre. Megjithatë, të emëruarit e Presidentit Trump janë "më të konsoliduar ideologjikisht" në pikëpamjet e tyre, tha zonja Murray.

Presidenti Trump dhe gjyqtarja Barrett
Presidenti Trump dhe gjyqtarja Barrett

"Prandaj mendoj se ekzistojnë pikëpyetje reale nëse do të shikojmë apo jo të njëjtën lloj zhvendosjeje me kalimin e kohës," tha ajo.

Si Gorsuch ashtu edhe Kavanaugh, i kanë zhgënjyer disa konservatorë, duke mbështetur herë pas here krahun liberal të gjykatës. Gorsuch, për shembull, shkroi një opinion historik në muajin qershor duke thënë se një ligj i vitit 1964 mbron punonjësit LGBTQ nga diskriminimi.

Vendimi u mbështet nga katër liberalët e gjykatës në atë kohë, si dhe nga kryetari i saj Roberts.

Megjithatë gjykata është bërë përfundimisht më konservatore sesa ishte katër vjet më parë, kur Presidenti Trump mori detyrën. Sipas ekspertëve, Gjykata e Lartë ka peshuar në të djathtë gjatë dy viteve të fundit.

Adam Feldman, autor i blogut Empirical SCOTUS, thotë se Presidenti Trump "e zhvendosi gjykatën në të djathtë".

"Kjo është e qartë nga provat që kemi nga dy mandatet e fundit," tha Feldman.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG