Lidhje

Përfundon gjyqi i bujshëm politik në Kinë


Gjyqi më i bujshëm politik që mbahet mend ndonjëherë në Kinë dekadat e fundit përfundoi brenda pak orësh, kur Gu Kailai, gruaja e politikanit kinez Bo Xilai nuk i kundërshtoi akuzat për vrasje të ngritura kundër saj. Gjyqi u zhvillua nën masa të rrepta sigurie në një gjykatë të qytetit lindor Hëfei.

Një zyrtar i gjykatës nuk tha se kur pritet të jepet vendimi, por sipas tij, prokurorët besojnë se ajo është "fajtorja kryesore" në krimin e vrasjes për të cilin bëhet fjalë.

Zonja Gu dhe një shërbyes i saj akuzoheshin për helmimin e biznesmenit britanik Neil Heywood në muajin nëntor në qytetin jugperëndimor Chongqing, ku Bo Xilai ishte udhëheqës i Partisë Komuniste. Zyrtarët thanë se zonja Gu mund të ketë pasur një mosmarrëveshje financiare me biznesmenin dhe mendonte se ai përbënte kërcënim për sigurinë e djalit të saj.

Nëse shpallet fajtore, Gu Kailai përballet me një dënim të mundshëm me vdekje. Por ajo mund të marrë një dënim më pak të ashpër, pasi sipas zyrtarëve, ajo ka bashkëpunuar me autoritetet në këtë çështje që çoi në rënien e bashkëshortit të saj Bo Xilai, i cili dikur shihej si një yll në ngritje në politikën kineze.

Politikani karizmatik Bo Xilai ishte ndër konkurrentët kryesorë për një post në Komitetin e Përhershëm të Byrosë Politike, forumi më i lartë vendimmarrës i Kinës, para se të humbiste postet politike në fillim të këtij viti.

Skandali vjen në një kohë të ndjeshme për Partinë Komuniste të Kinës, e cila këtë vit pritet t'i nënshtrohet një tranzicioni të rrallë të posteve udhëheqëse. Shumë kinezë dyshojnë se zyrtarët në Pekin janë duke e përdorur çështjen për të rrënuar karrierën e politikanit karizmatik Bo Xilai.

Edhe para gjyqit të shpejtë të zonjës Gu, që zgjati vetëm disa orë, kishte shqetësime nëse asaj do t’i sigurohej një mbrojtje e drejtë dhe pak njerëz mendonin se ajo mund të mos shpallej fajtore.

Sipas disa analistëve, këto janë shenja paralajmëruese për një ndjekje të mundshme penale ndaj bashkëshortit të saj, i cili është duke u hetuar nga ana e Partisë Komuniste për korrupsion. Ai mbahet i arrestuar dhe rreth tij nuk është dëgjuar prej disa muajsh.
XS
SM
MD
LG