Lidhje

Gjyqi për Presidentin Trump; sot votimi i rëndësishëm në Senat


Senatori republikan Lamar Alexander bisedon me gazetarët (30 janar 2020)

Një Senator republikan thotë se nuk ka nevojë të thërriten dëshmitarë në gjyqin ndaj Presidentit Donald Trump, pasi demokratët kanë paraqitur tashmë akuzat e tyre dhe se shkeljet, megjithëse "të papërshtatshme", nuk përbëjnë baza për shkarkim.

Senatori republikan Lamar Alexander u shpreh dje në një deklaratë se "nuk ka më nevojë për evidencë të mëtejshme për të provuar diçka që është e provuar se nuk arrin standartin e lartë të përcaktuar në kushtetutën amerikane për shkeljet që përbëjnë baza për shkarkim.... Kushtetuta nuk i jep Senatit fuqinë të heqë presidentin nga detyra dhe ta ndalojë të kandidojë në zgjedhjet e këtij viti, vetëm për shkak të disa veprimeve të papërshtatshme".

Për të lejuar thirrjen e dëshmitarëve në gjyqin e Presidentit Trump, katër senatorë republikanë duhej t'iu bashkohen 47 senatorëve demokratë.

Por, nëse votimi është i barabartë, 50 me 50, atëherë Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts, i cili drejton procesin gjyqësor, do të hedhë votën vendimtare. Megjithatë, duke qenë se kjo nuk ka ndodhur më parë, ekzistojnë aspekte të panjohura.

Një mundësi është që gjyqi të përmbyllet që të premten, me deklarimin jofajtor të Presidentit Trump për akuzat e abuzimit me pushtetin dhe pengim të Kongresit.

Nëse do të thirreshin dëshmitarë, si p.sh. ish-Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare John Bolton, mund të zgjatej gjyqi edhe për një javë, ose më shumë.

NJË VOTIM PËRFUNDIMTAR NË SENAT?

Presidenti Trump u shpreh me tone kritike për gjyqin, gjatë një tubimi në Miçigan.

"Situatë shumë partiake, një turp, sinqerisht një turp për vendin tonë," tha ai.

Senatorët i dhanë fund të enjten mbrëma seancës me pyetje-përgjigje që zgjati 16 orë. Pyetjet u drejtoheshin ligjvënësve-prokurorë të ekipit akuzues dhe ekipit mbrojtës, i cili paraqiti një argument që justifikonte veprimet e presidentit.

Sipas avokatëve mbrojtës, Presidenti u nis nga një përzierje e interesit personal dhe atij presidencial kur përdori ndihmën ndaj Ukrainës për hetime kundër rivalëve të brendshëm politikë – gjë që është quajtur e rrezikshme nga demokratët.

“Mbrojtësit e presidentit argumentuan se një President i Shteteve të Bashkuara mund të bëjë në thelb gjithçka që dëshiron për të siguruar rizgjedhjen, pavarësisht sa e korruptuar mund të jetë metoda që përdor, nëse beson se rizgjedhja e tij është në interesin kombëtar ... Ky është më argumenti më absurd dhe më i rrezikshëm që mund të ngrihet", tha ligjvënësi Adam Schiff.

Por faza e pyetje-përgjigjeve duket se ndryshoi pak mendime përpara votimit kryesor të së premtes për lejimin ose jo të dëshmitarëve në gjyq.

"Nuk është se po dalin shumë informacione të reja. Personalisht mendoj se pothuajse çdo senator nga secila anë e ka nxjerrë tashmë përfundimin e tij. Nëse mendoni se keni nevojë për më shumë pas gjithë kësaj, kjo do të ishte e vështirë të kuptohet," thotë Mike Braun, senator republikan.

Garat e para për emërimet brenda partive për zgjedhjet presidenciale të 2020-s fillojnë javën e ardhshme dhe republikanët argumentojnë se thirrja e dëshmitarëve do ta zvarriste gjyqin duke shkaktuar një shpërqendrim.

"Ne nuk po bllokojmë dëshmitarët e askujt. Ne thjesht nuk duam të legjitimojmë veprimet e Dhomës së Përfaqësuesve, e cila kërkon ta na bëjë me faj që nuk thërrasim dëshmitarë,” thotë senatori republikan Linday Graham.

Por demokratët thonë se ky është një justifikim.

"Kolegëve të mi republikanë u thuhet nga udhëheqja e tyre, se nëse lejojnë ndonjë dëshmitar, kjo do të na mbërthente në Senat për muaj të tërë. Kjo nuk është e vërtetë. Është thjesht një përpjekje e tyre që të shuajnë interesin për një gjyq të vërtetë," tha demokrati Chris Coons.

Ndërkohë, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi paralajmëroi se pa dëshmitarë, gjyqi nuk mund të ketë legjitimitet.

"Shumica e amerikanëve duan të shohin dëshmitarë. Nëse presidenti lirohet nga akuzat pa asnjë dëshmitar, demokratët do të përpiqen ta shfrytëzojnë këtë duke thënë: shihni, ai mbetet i pashfajësuar, kjo është një farsë, sepse nuk mund të ketë gjyq pa dëshmitarë dhe dokumente", thotë profesori Allan Lichtman i UNiversitetit Amerikan në Uashington.

Senati me shumicë republikane mund të veprojë shpejt të premten pas votimit për çështjen e dëshmitarëve dhe mund të shkojë në një votim përfundimtar për ta liruar menjëherë Presidentin Trump nga akuzat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG