Lidhje

Diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi i Glaukomës


Hap i nevojshëm për pacientët e prekur nga sëmundja

Glaukoma nuk është një sëmundje e vetme por një grup sëmundjesh që mund të çojnë në humbjen e përhershme të shikimit. Sikurse ka disa lloje të glaukomës po ashtu ka edhe trajtime të saj. Materiali në vazhdim na sjell mendimet e mjekëve që kanë trajtuar pacientë në mbarë botën.

Glaukoma u rrëmben shikimin njerëzve. Ajo vjen si rezultat i shtimit të tepërt të lëngjeve që shkaktojnë rritjen e tensioni në sy dhe si pasojë dëmtohen qelizat e nervit optik. Mary Hyman u diagnostikua me glaukoma para 10 vjetësh.

“Ishte diçka që ndodhi pa paralajmërim.”

Zonja Hyman e kuptoi që diçka nuk shkonte kur po luante me një fëmijë.

“Bëra një provë dhe kuptova se syri i majtë shikonte dobët.”

Nuk ka kurë për glaukomën por ajo mund të kontrollohet përmes uljes të tensionit në sy. Mjeku Eric Fleischer.

“Nuk ka një veprim magjik. Kjo është pjesa e nderlikuar.”

Tensioni i duhur është i ndryshëm për çdo pacient dhe po ashtu edhe trajtimi. Mjekimi i parë zakonisht bëhet me ilaç me pikatore në sy.

“ U japim pacientëve ilaçin, u masim tensionin dhe shohim nëse ai është ulur. Nëse jo, hapi tjetër është operacion me rreze lazer.”

Lloji i trajtimit varet nga lloji i glaukomës që ka pacienti. Mjeku Alan Robin thotë se po ashtu ka të bëjë me vendin ku jeton pacienti.

“Disa ilaçe me pikatore duhen mbajtur në frigorifer dhe kjo nuk është e mundur në disa vende si India jugore apo Afrika ekuatoriale ku është shumë ngrohtë gjatë gjithë kohës.”

Kostoja mund të jetë pengesë për trajtimin. Rengaraj Venkatesh është mjek për sytë në Indi.

“Kur dikush kërkon ndihmë mjekësore në Indi nuk vjen i vetëm por me dikë të familjes. Ndaj kostoja e ardhjes në spital po ashtu është e madhe.”

Pacientja që vuan nga glaukoma Mary Hyman ka një këshillë.

“Kur bën kontrollin e përgjithshëm, vizito edhe sytë. Edhe pse mendon se nuk ke probleme, kontrollo edhe sytë tek mjeku.”

Zonja Hyman është e kënaqur që po trajtohet për glaukomën. Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetit thotë se glaukoma po bëhet një përparësi në rritje sepse numri i rasteve pritet të rritet ndërkohë që shtohet jetëgjatësia e njerëzve në botë.

XS
SM
MD
LG