Lidhje

Drejtori ekzekutiv i Google do të vizitojë Phenianin


Associated Press njofton se Eric Schmidt do të marrë pjesë në një "mision humanitar, privat", të udhëhequr nga ish-guvernatori i shtetit të Nju Meksikos, Bill Richardson

Drejtori ekzekutiv i kompanisë Google duket se ka planifikuar të bëjë një udhëtim në Korenë e Veriut, shtetin komunist e të izoluar, që konsiderohet si vendi me kufizimet më të ashpra në botë ndaj internetit.

Agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi sot se Eric Schmidt do të marrë pjesë në një "mision humanitar, privat", të udhëhequr nga ish-guvernatori i shtetit të Nju Meksikos, Bill Richardson, në fillim të këtij muaji.

Është e paqartë se me cilët persona do të takohet ky delegacion në Korenë e Veriut, e cila nuk ka marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara. Nuk ka ende njoftime mbi programin e udhëtimit, i cili vjen në një kohë delikate në marrëdhëniet midis Koresë së Veriut dhe SHBA-së.

Koreja e Veriut muajin e kaluar shkaktoi zemërim ndërkombëtar, pas nisjes me sukses të një rakete me rreze të gjatë, për të cilën ajo tha se do të transportonte një satelit moti në orbitë. Uashingtoni dhe vende të tjera e dënuan atë veprim, duke e cilësuar një provë për raketat balistike.
XS
SM
MD
LG