Lidhje

Ceremonia e Çmimeve Grammy


Nju Jorku shtroi tapetin e kuq mbrëmë për yjet e muzikës që ishin mbledhur për ceremoninë më prestigjoze të arritjeve muzikore të vitit, Çmimet Grammy. Emri më i lakuar ishte Bruno Mars, i cili fitoi në kategorinë e albumit më të mirë, regjistrimit më të mirë dhe këngës më të mirë të vitit.

Kur “24k Magic” u zgjodh si albumi më i mirë i vitit, Bruno Mars u ngjit në skenë dhe tha se këngët e tij kanë një fill të përbashkët frymëzimi:

Bruno Mars, kantautor

“Këto këngë janë shkruar me një gëzim të thellë në shpirt dhe për një arsye të vetme, nga dashuria. Atë desha të sjell në këtë album dhe shpresoj se do t’ju shoh të gjithëve duke kërcyer,” tha artisti.

Bruno Mars fitoi edhe në kategorinë e albumit më të mirë R-and-B, interpretimit më të mirë R-and-B dhe këngës më të mirë R-and-B.

Në kategori të tjera, Alessia Cara u përzgjodh si artisja e re më e mirë e vitit, ndërsa Kendrick Lamar mori çmimin Grammy për albumin më të mirë rep, këngën më të mirë rep dhe interpretimin më të mirë rep.

Edhe politika nuk mungoi në skenën e çmimeve Grammy. Artistja Janelle Monae iu drejtua sallës me fjalët se industria muzikore duhet të ballafaqohet me problemin e abuzimeve seksuale dhe diskriminimit gjinor.

“Ne veprojmë në paqe, por jemi të mobilizuara seriozisht. Atyre që duan të na mbyllin gojën, u themi se u ka mbaruar koha”.

Ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, e cila humbi në zgjedhjet presidenciale përballë Donald Trumpit, u shfaq në një skeç të regjistruar ku është një ndët konkurrentët për të regjistruar në formë zanore librin “Zjarr e Furi” për problemet brenda administratës Trump.

Skeçi u pasua me revoltim nga ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley e cila postoi një koment në Twitter ku thoshte se gjithmonë i kishte pëlqyer ceremonia për çmimet Grammy, por “mbaroi për mua, kur artistët filluan të lexojnë pasazhe nga libri Zjarr dhe Furi”.

Edhe djali i Presidentit Trump reagoi përmes Twitterit me komentin “Leximi i pasazhit nga një libër i sajuar gjatë ceremonisë së çmimeve Grammy më duket shpërblim shumë i mirë për ta ngushëlluar (Hillary Clintonin) që humbi zgjedhjet presidenciale”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG