Lidhje

Gratë, faktor kyç në fitoren e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve


Të paktën 95 gra fituan një vend në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet për Kongres që u mbajtën më 6 nëntor, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 84 grash anëtarë të Dhomës së Ulët.

Shumica e grave që fituan janë demokrate, të cilat ndihmuan partinë të rimarrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Rreth 80 për qind e grave që konkuruan për ligjvënëse ishin demokrate, sipas Qendrës për Gruan Amerikane dhe Politikën në universitetin Rutgers.

Një numër rekord prej 237 grash konkuruan në garat për Dhomën e Përfaqësuesve anembanë vendit, me rreth 100 që dolën fituese të mërkurën në mëngjes,”- njoftoi qendra.

Në fillim të janarit, kohë kur do të mblidhet Kongresi, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve do të jenë në shumicë për herë të parë në tetë vjet.

Fitoret nga gratë kanë gjasa të rrisin përfaqësimin e tyre në Kongres përtej 20 për qind, për herë të parë. Shumë u paraqitën si kandidate në dy vitet e fundit, të nxitura nga njoftimet për sjelljen e zotit Trump ndaj grave, lindjes së lëvizjes #MeToo që ka publikuar përhapjen e gjerë të sulmeve seksuale si dhe politikat republikane për çështje që përfshijnë të drejtat mbi abortin.

Christopher Borick, profesor i shkencave politike dhe drejtor i Institutit të Mendimit Publik të Kolegjit Muhlenberg, thotë se roli që kanë luajtur gratë në këto zgjedhje i ka arritur pritshmëritë.

"Po shohim një rritje të madhe të përqindjes së grave që do të jenë brenda Dhomës së Përfaqësuesve. Do t'ju jap një shembull në Pensilvani, si një nga skenat më domethënëse. Përpara zgjedhjeve asnjë anëtar nga 18 që përfaqësojnë shtetin në Kongres nuk ishte grua. Sonte, vetëm në periferi të Filadelfias, në Luginën Lehigh ku ndodhem unë, fituan katër gra ", tha zoti Borick.

Mes fitueseve janë edhe dy gratë e para myslimane në Kongres, Ilhan Omar nga Minesota dhe Rashida Tlaib nga Michigan-i si dhe gruaja e parë nga radhët e amerikanëve indigjenë Sharice Davids e Kansasit. Shtete si Pensilvania, Nju Xhersi dhe Nju Jorku sollën gjithashtu kandidate për herë të parë për Kongresit amerikan.

Zgjedhjet shënuan një rekord prej 33 garash për Dhomën e Përfaqësuesve ku gratë u ballafaquan me gratë. Demokratja Donna Shalala, një ish-anëtare e kabinetit gjatë administratës së Presidentit Bill Klinton mundi republikanen Maria Elvira Salazar, një gazetare me origjinë nga Kuba.

Por gratë demokrate nuk panë të njëjtin sukses në Senat sikurse në Dhomën e Përfaqësuesve.

Senatorja e Mizurit e cila rikandidoi në këto zgjedhje, Claire McCaskill u mposht nga Prokurori i Përgjithshëm i shtetit Josh Hawley. Edhe senatorja Heidi Heitkamp nuk u rizgjodh në Dakotën e Veriut.

Disa gra republikane fituan gara kyçe për Senat, përfshirë ligjvënësen Marsha Blackburn e cila e përshkruan veten "si një konservatore të përkushtuar". Ajo është gruaja e parë që fiton një vend në Senat, në Tenesi, duke mundur ish-guvernatorin demokrat Phil Bredesen.

Gratë gjithashtu dolën fitimtare dhe në garat për guvernatore. Në Kansas dhe Miçigan, gratë demokrate fituan poste që mbaheshin nga republikanët.

Fitoret politike nga gratë demokrate ishin veçanërisht të rëndësishme në Miçigan, ku ato fituan postet më të rëndësishme të shtetit. Përveç postit të guvernatorit, ato fituan garat për senatore, për Prokurore të Përgjithshme dhe Sekretare Shteti.

Në janar kur të mblidhet Kongresi i 116-të amerikan me përbërjen e re, gratë do të kenë më shumë pushtet politik në Dhomën e Përfaqësuesve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG