Lidhje

Shumë grekë mbështeten tek ndihmat


Numri i qytetarëve grekë që nuk janë në gjendje të sigurojnë ushqim për veten e tyre është në rritje

Ndërkohë që Greqia i afrohet vitit të pestë të recesionit, numri i qytetarëve që nuk janë në gjendje të sigurojnë ushqim për veten e tyre është në rritje. Mjediset që ofrojnë ndihma ushqimore ishin vendet ku zakonisht gjendeshin shumë emigrantë pa dokumente dhe të pastrehë, por tani ato po përdoren gjerësisht edhe nga shumë njerëz të popullatës së përgjithshme.

Është pak para drekës. Racione me makarona të ngrohta janë duke u përgatitur për më shumë se njëqind fëmijë. Por kjo nuk është mensa e një shkolle. Është një strukturë e drejtuar nga komuna e Athinës për ata që nuk janë në gjendje të paguajnë për ushqimet. Athinasit po vijnë këtu gjithnjë e më shumë - sidomos pensionistët dhe familjet me fëmijë.

Qendra drejtohet nga George Apostolopolos dhe një ekip vullnetarësh. Edhe pse fondet nga qeveria e qytetit deri tani kanë qenë të mjaftueshme, ai nuk është i sigurt se për sa kohë do të vazhdojë.

"Jemi të shqetësuar për të ardhmen, sepse nuk dimë si do të jetë dita e nesërme - që është edhe problemi më i madh që kemi. E ardhmja është e panjohur. Ne përpiqemi të bëjmë sa mundemi."

Pak minuta para se këto pamje të filmoheshin, ky oborr ishte plot me të rritur të të gjitha moshave, në rradhë për ushqim. Por filmimi nuk lejohet gjatë atyre momenteve. Shumë njerëz që vijnë këtu nuk duan që familjet e tyre ta dinë këtë gjë.
Kristos dhe Maria biseduan me Zërin e Amerikës pas drekës.
Christos thotë se ai kishte një jetë të mirë deri pak vite më parë. Por ai humbi të dy prindërit e tij, dhe më pas pësoi një aksident të rëndë me makinë. Christos filloi të merrte qetësues për të lehtësuar dhimbjet nga plagët, dhe humbi punën.

"Unë jam 48 vjeç. Më kujtohen mirë rreth 43-44 vjet të jetës sime dhe kjo është situata më e vështirë që kam parë ndonjëherë këtu në Greqi."

Maria thotë se ajo ishte përgjegjëse në një dyqan rrobash, por humbi punën, kur kriza goditi vendin.

"Më pas, humba shtëpinë, sepse çdo muaj më duhej të paguaja 450 euro. Tani janë bërë 20 ditë që jam e pastrehë dhe vij këtu për të ngrënë çdo mëngjes në orën 12 dhe çdo pasdite në orën 5."

Megjithatë, ushqimet e ofruara në struktura si këto nuk duket të jenë të mjaftueshme. Qindra grekë u rreshtuan këtë javë në një park të Athinës qendrore për të marrë perime falas. Fermerë nga Kreta shpërndanë, me ndihmën e pushtetit vendor, 27 tonë patëllxhanë, speca, domate dhe produkte të tjera.
Nikos Saprovalakis punon për një kompani ushqimore, që po jep kontributin e saj.

"Ne nuk do të zgjidhim ndonjë problem të të ushqyerit, por po nisim solidaritetin, një shfaqje të solidaritetit grek, që tregon se gjatë këtyre kohëve ne Grekët jemi të bashkuar."

Spiros Kalamantis ishte një nga personat në rradhë për kutinë me ushqime.

"Meqënëse kam qenë i papunë për disa vite, mendova të merrja edhe unë një kuti. Sepse unë jam i papunë, asgjë më tepër."

Gjithnjë e më shumë grekë kanë nevojë për ndihmë. Ndërkohë që papunësia rritet, së bashku me taksat, edhe të ushqyerit duket të jetë i vështirë për shumë njerëz. Një tjetër sfidë kjo për qeverinë e re greke, në ditët e saj të para në detyrë.
XS
SM
MD
LG