Lidhje

Greqi: Qeveria diskuton për reformat


Konsultimet bëhen në prag të vizitës së Trojkës: BE, FMN dhe Banka Qendrore Evropiane.

Kryeministri grek Antonis Samaras u takua sot me udhëheqësit e partive të koalicionit qeveritar, për të ndërmarrë një hap përpara drejt realizimit të shkurtimeve të shpenzimeve prej 11,7 miliardë eurosh, në mënyrë që reformat të marrin drejtimin e duhur, në prag të një vizite nga ana e trojkës së Bashkimit Evropian, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Qendrore Evropiane.

Zoti Samaras u takua me udhëheqësin e partisë Socialiste, Evangelos Venizelos, dhe atë të partisë së majtë Demokratike, Fotis Kouvelis, për të siguruar miratimin e tyre për shkurtimet, përpara se të merren vendimet përfundimtare, me ministrin e Financave Janis Stournaras dhe zëvendësin e tij Kristos Staikouras.

Masat duhet të jenë dorëzuar për miratim brenda datës 26 korrik, kur auditorët e të ashtuquajturës “trojka” – e përbërë nga Bashkimi Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Evropiane – pritet të kthehet në Athinë për një mision kontrollues.
Pas takimit, kryetari i partisë së Majtë Demokratike, Fotis Kouvelis, përsëriti angazhimin e Greqisë.

“Ne ramë dakord që reformat strukturore duhen të bëhen pa vonesë, reforma strukturore që do të shërbejnë për të mirën e vendit duke përdorur sa më mirë pasuritë shtetërore.”

Anëtarë të kabinetit dhe zyrtarë të lartë të ministrive kanë zhvilluar takime të përditshme, për të diskutuar mbi shkurtimet e shpenzimeve.

Qeveria po shqyrton një gamë të gjerë mundësish, duke përfshirë uljen e pensioneve, përmirësimin e mbledhjes së taksave, shkurtimin e shpenzimeve të spitaleve publike dhe luftën ndaj mashtrimeve për të ulur shpenzimet sociale.

Zoti Venizelos rikonfirmoi se reformat strukturore do të realizohen, por ai tha se nuk do të ketë masa të reja të dhimbshme për popullsinë.

“Nuk do të ketë masa të reja. Ne do të zbatojmë ligjet dhe vetë buxhetin, ashtu siç është ndryshuar për herë të fundit në mars. Pra, të gjitha masat e parashikuara, - e jo masa të reja – janë ato që do të zbatohen, me konsideratë të madhe për ndjeshmëritë sociale.”

Politikat e ashpra me masat shtrënguese të zbatuara në vend që prej planit të parë të shpëtimit të BE-së dhe FMN-së, në maj të vitit 2010, kanë bërë që ky të jetë recesioni i më i gjatë dhe më i thellë për Greqinë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

XS
SM
MD
LG