Lidhje

Pasojat e daljes së Greqisë nga Eurozona


Ndikimi mund të shkojë deri në SHBA, duke shkaktuar një rënie prej 1 për qind të ekonomisë amerikane

Grekët votojnë përsëri këtë muaj për një qeveri të re, e cila më në fund mund të vendosë nëse Greqia do të mbetet në Eurozonë. Zgjedhjet parlamentare, të dytat në dy muajt e fundit, ishin të nevojshme pasi partitë politike nuk arritën të krijonin një koalicion funksional. Vendet evropiane, që në të kaluarën tregoheshin të përmbajtura, për të mos shkaktuar panik në tregjet financiare, kanë filluar të bëjnë plane emergjente për një një dalje të mundshme të Greqisë nga Eurozona. Por me çfarë kosto do të arrihej kjo? Megjithëse Greqia është një vend i vogël, thuhet në materilian në vazhdim, ajo që do të ndodhë në këtë vend mund të ketë një ndikim të madh në ekonominë globale.

Me një popullsi prej gati 11 milionë banorësh dhe me një prodhim të përgjithshëm kombëtar prej rreth 300 miliardë dollarësh, Greqia është vendi i 41 në listën e vendeve të industrializuara të botës. Por me një borxh gati sa dyfishi i prodhimit të saj vjetor, Greqia është një prej hallkave më të dobëta të asaj që është shndëruar në një krizë të vazhdueshme në Evropë.

Simon Johnson është ekonomist në Institutin Peterson për Ekonomitë Ndërkombëtare.

"Bashkimi Evropian përbën më shumë se 25 për qind të prodhimit të përgjithshëm botëror. Ata e krijuan vetë krizën dhe më pas e keqmenaxhuan një krizë shumë serioze. Prandaj kam frikë se ndikimet për shumë vende do të jenë tepër të rënda".

Shumë njerëz i shikojnë zgjedhjet greke të 17 qershorit si një referendum ndaj masave të ashpra ekonomike, që ka kërkuar BE-ja në këmbim të paketave të ndihmave. Por ky është një referendum, që mund të rezultojë në daljen e Greqisë nga Eurozona, duke u bërë vendi i parë që ndërmer një hap të tillë.

Analistët thonë se një shkëputje e parregullt mund të shkaktojë kosto më të larta huamarrjeje për ekonomitë më të dobëta, duke zhytur në recesion vende si Spanja dhe Italia.

Reagimi financiar mund ta kalojë Atlantikun, duke shkaktuar një rënie prej 1 për qind të ekonomisë amerikane. Një gjë e tillë, do të ndërpriste rimëkëmbjen e ngadaltë të ekonomisë amerikane, thotë profesori i ekonomisë Peter Morici.

"Shtetet e Bashkuara kanë tani një zhvillim vjetor prej rreth 2 për qindësh. Nëse ky zhvillim bie me 0.5 për qind, ne do të arrinim në një nivel të paqëndrueshëm. Ka shumë të ngjarë që ekonomia të bjerë në recesion".

Megjithë ndikimin e saj minimal ndaj Greqisë, analistët thonë se kërcënimi i një recesioni të dyfishtë në ekonominë më të madhe të botës do të ishte i mjaftueshëm për të turbulluar tregjet tashmë të dobëta financiare.

Bankat, që ndikohen më shumë nga borxhi evropian, mund të përjetojnë një ulje të depozitave, ndërkohë që disa prej tyre mund të përballen me një shpërbërje të plotë.

Edhe ekonomitë me zhvillim më të shpejtë në Azi mund të presin rënie të ndjeshme ndërsa eksportet e tyre drejt Perëndimit zhduken.

Për ironi, profesori Morici thotë se Greqia do të ishte në pozitë më të mirë në se menaxhohet një dalje e kujdeshme nga Eurozona, megjithatë ai nuk mendon se kjo do të ndodhë.

"Pres që votuesit grekë të zgjedhin një qeveri që do t’i mbante ata në Eurozonë. Më pas ata do të zbatojnë një program të ashpër ekonomik dhe Greqia do të vazhdojë rënien ekonomike. Pas një viti ne do të flasim rreth papunësisë prej rreth 25 për qind në Greqi, Profesionistët e rinj do të largohen nga vendi dhe Greqia do të bjerë në statusin e një vendi në zhvillim".

Drejtori i Bankës Qendrore të Evropës, Mario Draghi ka pranuar se sa e rëndë është kriza, duke e përshkruar kursin e tanishëm të Evropës si "të paqëndrueshëm". Por edhe ndërsa ai bën thirrje për reforma emergjente, të tjerë këmbëngulin se eksperimenti i Evropës me një monedhë të përbashkët ka dështuar, duke e vënë theksin tek Greqia se pse ky eksperiment nuk funksionoi.
XS
SM
MD
LG