Lidhje

Greqia përballë zgjedhjeve, shtohen ndjenjat anti-gjermane


Votuesit grekë do të kthehen në qëndrat e votimit pas disa javësh, për të marrë pjesë në zgjedhjet e përsëritura, të cilat mund të vendosin të ardhmen e vendit në eurozonë. Tani që dalja e Greqisë nga zona e euros po diskutohet haptas në kryeqytetet evropiane, ka filluar frika e falimentimeve bankare. Gjithashtu, nuk është e sigurt nëse votuesit grekë do të japin një rezultat të ndryshëm gjatë këtij votimi të dytë.

Universiteti më i vjetër i Athinës është kthyer në një arenë ku qytetarët shprehin zemërimin e tyre.

Zemërim ndaj qeverisë, zemërim ndaj kapitalizmit... thirrje për të djegur bankat.

Ka shumë zemërim edhe ndaj Gjermanisë. Banori i Athinës Anastasis Kucukos ndërpreu filmimet e Zërit të Amerikës për të shprehur mendimin e tij."

Kancelarja Merkel ka ideologjinë e ‘pan-gjermanizmit’: Gjermania është gjithçka. Ky është problemi."

Kjo është një ndjenjë e përhapur. Më 17 qershor, grekët do t’i kthehen kutive të votimit.
BE paralajmëron se e ardhmja e Greqisë në eurozonë është në rrezik.

Njerëzit që folën për Zërin e Amerikës kishin opinione të ndryshme.

"Ata përpiqen të shtyjnë grekët të pranojnë diçka që është e padurueshme. Memorandumi mbi masat shtrënguese është thjesht i padurueshëm. Kjo do të rrënojë ekonominë greke".

"Votimi për një parti nuk do të përmirësonte gjë. Vetëm njerëzit mund t’i përmirësojnë gjërat. A jam optimiste? Jo."

Në Greqi, një farmacist 77-vjeçar, Dimitris Christoulas, vrau veten, më 4 prill. Në xhepin e tij ishte një shënim ku thuhej se ai nuk mund të kërkonte nëpër plehra për të ushqyer veten.

Mbështetës grekë dhe aktivistë nga e gjithë bota e kanë kthyer këtë shesh përballë parlamentit në një vend të shenjtë kundër masave shtrënguese.

Megjithatë, anketat tregojnë se shumica e grekëve duan të qëndrojnë në eurozonë.
Konstantis Mikalos është president i Dhomës së Tregtisë të Athinës. Ai thotë se për Greqinë nuk ka dalje të lehtë nga euroja."

Greqia mund të jetë në qendër të vëmendjes për momentin, por nuk është e vetme. Është Italia, Portugalia, Spanja, dhe potencialisht edhe Franca. Pra, Gjermania duhet ta shohë me seriozitet këtë situatë sepse, brenda pak muajve, kësaj liste të gjatë të ekonomive problematike mund t’i shtohen edhe vende të tjera të Evropës veriore."

Pavarësisht shqetësimeve të shumta, deri tani bankat greke nuk kanë dështuar.

Por pasiguria për të ardhmen e Greqisë në eurozonë është duke shkaktuar paqëndrueshmëri në të gjithë ekonominë botërore, dhe është duke zgjatur vuajtjet e popullit grek.

XS
SM
MD
LG