Lidhje

Policia greke përleshet me punonjësit e një kantieri detar


Ndërkohë vështirësitë e sektorit bankar në Spanjë kanë hapur një debat rreth nevojës së një pakete tjetër ndihmash financiare

Policia greke u përlesh me dhjetëra punonjës të kantierit detar në Skramangas të cilët sot protestuan para ndërtesës së ministrisë greke të mbrojtjes në qendër të Athinës pasi qeveria nuk i kishte paguar rrogat e tyre për disa muaj. Policia i largoi me forcë protestuesit nga mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes në Athinë duke shkaktuar plagosjen e disa protestuesve. Ndërkohë në Spanjë vazhdojnë debatet rreth nevojës për një paketë tjetër ndihmash financiare.

Protestuesit nga kantieri detar në Skaramanga janë të zemëruar sepse qeveria nuk i ka paguar ata për disa muaj. Ky kantier detar punon kryesisht me ushtrinë greke.

Dhjetra protestues u futën në oborrin e ministrisë së mbrojtjes, duke thyer një derë dhe bënë përpjekje për të bllokuar hyrjen kryesore të ndërtesës së ministrisë.

Protestuesit kërkuan të takoheshin me zyrtarë të ministrisë së mbrojtjes.

“Ne kemi ardhur për të protestuar, për t’u takuar me ministrin, për t’u takuar me dikë që mund të na tregojë se çfarë po ndodh. Ky është vetëm fillimi. Ne nuk do të ndalemi”, tha Panajotis Ketsetzidis, i cili ka punuar për 35 vjet në kantierin detar në Skaramangas.

Një njësi e specializuar e policisë mbërriti në vendngjarje për të mbrojtur hyrjen e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë greke.

Përleshjet shpërthyen ndërkohë që protestuesit u përpoqën të çanin kordonin e policisë që mbronte hyrjen në ndërtesën kryesore.

Pas këtij veprimi konflikti mes policisë dhe protestuesve u intensifikua duke shkaktuar plagosjen e disa protestuesve.

Greqia është mbërthyer nga një krizë e rëndë financiare që nga fundi i vitit 2009.

Shkurtimet buxhetore dhe rritja e taksave, kanë shkaktuar greva dhe protesta të shumta.

Ndërkohë, në jë shtet tjetër në vështirësi, në Spanjë, problemet e sektorit bankar kanë hapur një debat rreth nevojës së një pakete tjetër ndihmash financiare. Ekonomistja spanjoll Gayle Allard thotë se Spanja nuk duhet të nxitojë në arritjen e një marrëveshjeje për një paketë ndihmash financiare me kushte të vështira.

“Nëse Spanja merr një ndihmë financiare me kushte të ashpra, vendi do të përballej me një situatë më të keqe se sa falimentimi i kompanisë financiare Lehman Brothers”.

Zonja Allard tha se protestat në Spanjë nuk janë aq të fuqishme sa në Greqi, prandaj do të ishte gabim që Bashkimi Evropian të ushtronte trysni ndaj Spanjës për të pranuar një paketë ndihmash financiare.

XS
SM
MD
LG