Lidhje

Greqi, dita e tretë e bisedimeve me Trojkën


Punonjës të sektorit publik organizuan protesta kundër planeve për masa shtrënguese, duke marshuar me motoçikleta

Greqia thotë se po planifikon të investojë në ndërtimin e një piste për garat me makina, Formula Një. Qeveria e Athinës, tha sot se investimi do të nxisë turizmin dhe do të krijojë vende të reja pune. Ky projekt, i parashikuar për një zonë të gadishullit të Peloponezit, është diskutuar prej vitesh nga udhëheqësit grekë, por ata përballen me kundërshtime nga banorët lokalë dhe aktivistët e mjedisit. Po sot, inspektorët ndërkombëtarë të borxhit të Greqisë vazhduan takimet me zyrtarët e vendit, ndërkohë që punonjës të sektorit publik organizuan protesta kundër planeve për masa shtrënguese, duke marshuar me motoçikleta në rrugët e kryeqytetit.

Grupe inspektorësh të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Qendrore dhe Komisionit Evropian, të njohur si trojka, u takuan sot në Athinë me ministrin grek të Zhvillimit, Infrastrukturës dhe Transportit, Kostis Hatzidakis, për të diskutuar rreth detajeve të paketës dy-vjeçare të masave shtrënguese.
Një projekt-buxhet që, për vitin e ardhshëm, parashikon masa shtrënguese me vlerë 7,8 miliardë euro, iu paraqit parlamentit të hënën. Këto masa janë pjesë e një pakete shkurtimesh të shpenzimeve dhe rritje të taksave, për vitin 2013 dhe 2014, me vlerë 13,5 miliardë euro, që kreditorët ndërkombëtarë të Greqisë kanë kërkuar si kusht për vazhdimin e pagesave të huave të shpëtimit, të cilat po mbrojnë vendin nga falimentimi.
Ndërkohë pakënaqësia vazhdon të mbetet e lartë ndaj këtyre masave. Sot, punonjës të sektorit publik zhvilluan një tjetër protestë, duke marshuar me motoçikleta në rrugët e kryeqytetit.

"Varfëri. Skamje. Shkurtime. Rrënim i sektorit publik. Për t’i kundërshtuar, jemi të gatshëm të përleshemi. Nuk do të lejojmë që të na heqin të drejtën tonë për një të ardhme me shpresë."

Punëtorët e bankës greke Emporiki thanë se edhe ata do të zhvillojnë grevë për të protestuar kundër planeve për shitjen e bankës. Banka Alpha ka thënë se është në tratativa me grupin francez Credit Agricole për të blerë filialin e saj në Greqi, Emporiki Bank.
Banka e tretë më e madhe e Francës, Credit Agricole, po kërkon të shesë njësinë e saj greke, për shkak të shqetësimeve rreth vazhdimit të krizës financiare të Greqisë, e cila ka prekur bankat e vendit, duke sjellë dyshime rreth vazhdimit të anëtarësisë së vendit në eurozonë.

XS
SM
MD
LG