Lidhje

Bisedimet për krizën greke mbeten të bllokuara


Greqia tha se negociatat me huadhënësit ndërkombëtarë lidhur me planin e masave shtrënguese ekonomike nuk ka të ngjarë të përfundojnë para takimit të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian këtë javë.

Ministri Yannis Stournaras tha sot se zyrtarët grekë ende po zhvillojnë bisedime me përfaqësuesit e Fondit Monetar, Bankës Qëndrore Evropiane dhe BE-së. Por ai shtoi se nuk mendon se mund të arrihet një marrëveshje para takimit dy-ditor që hapet në Bruksel të enjten.

Huadhënësit e Greqisë kërkojnë që Athina të shkurtojë 17 miliardë dollarë në shpenzime gjatë dy vjetëve të ardhshme para se të lëvrojnë këstin tjetër të ndihmës. Athina thotë se ka nevojë për para para nëntorit, në mënyrë që të përmbushë detyrimet financiare.

Ndërkohë kancelarja gjermane Angela Merkel tha se shqetësimet financiare të Greqisë nuk do të çojnë në ndonjë zhvillim të pakontrolluar të bllokut të 17 vendeve që përdorin euron. Por ajo tha se qeveria greke ka ende shumë punë për të bërë për të zgjidhur problemet e saj.
XS
SM
MD
LG