Lidhje

Takim Pikramenos-Papulias


Udhëheqësit e Eurozonës i ringjallën shpresat që Greqia të vazhdojë të jetë pjesë e monedhës evropiane, por me disa kushte.

Kryeministri i përkohshëm grek Panagiotis Pikrammenos u takua sot me Presidentin Karolos Papoulias pasi u kthye nga raundi i fundit i diskutimeve të Bashkimit Evropian në Bruksel, ku udhëheqësit e Eurozonës i ringjallën shpresat që Greqia të vazhdojë të jetë pjesë e monedhës evropiane, por me disa kushte.

Pikrammenos solli mesazhin se udhëheqësit evropianë duan që Greqia të vazhdojë të jetë pjesë e Eurozonës, por se presin që Athina të respektojë angazhimet e saj.

“Të gjithë partnerët evropianë duan që vendi ynë të vazhdojë të jetë pjesë e Eurozonës dhe për këtë arsye ne patëm diskutime intensive për nevojën e zbatimit të masave konkrete të rritjes që do ta ndihmojnë vendin tonë të zhvillohet dhe të luftojë papunësinë. Po ashtu do doja të thoja se të gjithë partnerët tanë evropianë besojnë se nuk ka diskutim që Greqia nga ana e saj do t’u përmbahet angazhimeve të saj”.

Zyrtarët grekë kanë thënë se pa ndihmë nga jashtë, vendit do t’i mbarohen fondet brenda dy muajsh dhe mund të detyrohet të dalë nga Eurozona.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian i bënë thirrje Greqisë para dy ditësh në një takim të nivelit të lartë që të mos heqë dorë nga masat shtrënguese financiare dhe të çojë deri në fund reformat.

Greqia mban zgjedhjet e dyta në më pak se dy muaj më 17 qershor.

Shumica e grekëve, 85 për qind sipas një sondazhi të fundit duan që ta mbajnë Euron. Por njëkohësisht ata janë kundër shumicës së kushteve të rrepta financiare për të cilat është rënë dakord BE-në dhe FMN-në si për shembull shkurtimet e rrogave dhe pensioneve.
XS
SM
MD
LG