Lidhje

Kriza në Evropë dhe punësimi i studentëve të Greqisë


Athina Prassa i takon një brezi të tërë të sapo të diplomuarve, që dalin në jetë në një kohë krize financiare

Greqia ka shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë. Ky vend po përjeton vitin e pestë me radhë në recesion dhe e ardhmja duket e zymtë për qindra mijëra të rinj të diplomuar, si për shembull Athina Prassa. Ajo i takon një brezi të tërë të sapo të diplomuarve, që dalin në jetë në një kohë krize financiare.

Athina është 22 vjeç. Ajo filloi studimet e larta në vitin e parë të krizës financiare të Greqisë dhe u largua nga shtëpia e saj në ishullin Limnos për të vazhduar studimet në Universitetin privat Greko-Amerikan në kryeqytet.

Kolegji i shtrenjtë e detyroi të jetonte në lagjen Shën Pandeleimonas, të goditur rëndë nga krimi, por ku jetonte falas tek një mike e familjes.

Pas përfundimit të studimeve të larta 4 vjeçare për gjuhë dhe letërsi angleze, Athina do të kthehet në ishullin Limnos, ku ajo ka në plan të punojë në një bar plazhi me shpresë se do të sigurojë të ardhura të mjaftueshme për të mbështetur veten në atë që ajo parashikon të jetë një periudhë e gjatë në kërkim të një pune në profesionin e saj.
Megjithëse ajo është optimiste dhe ëndëron për një të ardhme të ndritur, Athina e pranon se ka frikë për atë që e pret në të ardhmen.

"Kam shumë frikë rreth së ardhmes sepse gjendja këtu është tepër e vështirë për të gjetur punë. Jam gati të bëj çdo punë që mund të gjej. Nuk kam asnjë kufizim apo pretendim, vetëm dua një punë që të mbijetoj. Tani për tani nuk po mendoj për të bërë realitet ëndrrat e mija, kjo mund të presë për më vonë".

Familja e Athinës është goditur rëndë nga kriza ekonomike. Nëna e saj, kamariere në një restorant të vogël, nuk është paguar për disa muaj me radhë. Vëllai i saj po mbyll klubin e fiskulturës pasi biznesi humbi shumë klientë si pasojë e krizës. Për shkak të gjendjes së rëndë financiare të familjes, buxheti i Athina Prassas ka rënë në 50 euro në muaj, gjysma e shumës që ajo kishte në vitin e parë të universitetit.

"Ka ditë që harroj shijen e mishit, ha sufllaqe sepse janë të lira dhe marr ushqimet bazë për të cilat kam nevojë", thotë Athina.

Athina jeton në lagjen e Shën Pandeleimonas, e cila u bë e njohur në gjithë botën nga grupi politik ekstrem Agimi i Artë, i cili organizoi patrulla në lagje, duke u zotuar se do ta pastronte atë nga emigrantët e shumtë.

Gjatë viteve të fundit, emigrantët kanë përjetuar sulme me motive raciale nga përkrahësit e Agimit të Artë, i cili kohët e fundit fitoi edhe vende në parlamentin grek. Grupi Agimi i Artë hedh poshtë etiketimin neo-nazist, madje këmbëngul se është një grup nacionalist dhe patriotik.

Dhe përveç problemeve të sigurisë, Athina ankohet se bashkia nuk merr asnjë masë, ndërsa rrugët e pista të lagjes kthehen në një rrezik shumë serioz shëndetësor për banorët:

"Pisllëku shtohet gjithnjë e më shumë dhe bashkia muk do t’ia dijë se ç’bëhet. Si mund të jetojnë njerëzit këtu? Tashmë ka shumë sëmundje dhe kjo gjendje është e rrezikshme. Autoritetet duhet të bëjnë diçka që njerëzit të mund të jetojnë këtu".

Megjithëse ajo e konsideron lagjen Shën Pandeleimonas në Athinë si lagjen e saj, ajo qëndron aty shumë pak. Nga natyra e saj optimiste, dhe karakteri i qeshur dhe bujar, Athina ka bërë shumë miq si në Athinë edhe në ishullin e Limnos.
Edhe me një buxhet të kufizuar, Athina dhe miqtë e saj duket se bëjnë një jetë të gëzuar si studentë në kryeqytetin grek.

Në ditët e nxehta të verës ata përfitojnë nga plazhet e shumta përreth Athinës dhe në mbrëmje ata shkojnë në koncerte dhe në ekspozita arti falas.

"Si pasojë e krizës ekonomike ne përfitojmë dhe frekuentojmë aktivitete falas, sepse nuk kemi para të mjeftueshme për të paguar për argëtim", thotë Athina.

Në të ardhmen disi të largët, Athina shpreson të bëhet stiliste në industrinë e modës. Por tani, ajo përqëndrohet në preokupimet e ditës dhe shpreson të gjejë punë në Athinë, pasi të kthehet në qytet nga ishulli ku banon për momentin.
XS
SM
MD
LG