Lidhje

Takim i BE-së në Bruksel, greva të përgjithshme në Athinë


BE takohet sot në Bruksel për të diskutuar mbi forcimin e Euros

Anëtarët e Bashkimit Evropian po takohen sot në Bruksel për të diskutuar për forcimin e Euros, me një theks të veçantë tek një integrim më i madh fiskal dhe politik mes vendeve anëtare. Ndërsa Athina po kërkon më shumë kohë për të realizuar objektivat financiare, Greqia është bllokuar nga një grevë e përgjithshme e industrisë së transportit, spitaleve, zyrave dhe dyqaneve.

Shenjat se borxhi në raport me prodhimin e brendshëm bruto ka arritur në pothuajse 100 për qind dhe se 11 mijë biznese pritet të falimentojnë këtë vit nuk janë edhe aq të dukshme, por ka sinjale të qarta se kriza e Euros ka arritur në zemër të rajonit.

Por një nga çështjet më të mëdha për udhëheqësit që janë mbledhur sot në Bruksel, është kërkesa e Athinës për një zgjatje prej dy vjetësh të afatit për pakësimin e defiçitit. Nëse Gjermania bie dakord një kërkesë e tillë mund të plotësohet.

Ndërkohë në Greqi, grevistët po protestojnë për herë të dytë në më pak se një muaj, kundër masave të reja të rrepta financiare.

Greva 24 orëshe ka ndërprerë shërbimet hekurudhore dhe të trageteve, ndërsa kontrollorët e trafikut ajrore do të ndërpresin punën për tre orë duke bllokuar fluturimet për atë periudhë.

Shkollat dhe zyrat e taksave do të mbeten mbyllur gjithë ditën, spitalet shtetërore do të funksionojnë me personel minimal vetëm për urgjencat dhe bankat do të jenë të mbyllura.

Shërbimet e transportit do të jenë të paralizuara, madje edhe shoferët e taksive do të bëjnë një grevë nëntë orëshe, ndërsa dyqanet janë mbyllur për gjithë ditën.

Sindikatat po organizojnë dy marshime në qendër të Athinës. Kostas Tourloukis, një punonjës grek thotë se nuk ka ndonjë shpresë se gjërat do ndryshojnë.

“Ne jemi thjesht spektatorë që shohim se si zhvillohen ngjarjet. Asgjë nuk do të ndryshojë çfarëdo që të bëjmë ne”.

Që para tre vjetësh kur vendi u zhyt në një krizë aq të thellë saqë është krahasuar me depresionin e madh të viteve 1930, në Greqi janë zhvilluar qindra protesta kundër masave shtrënguese financiare.

Ndërkohë Spanja mori rezultate pozitive në një ankand me bono thesari pasi agjencia Moody, nuk e uli vlerësimin për aftësinë e kredimarrjes së vendit dhe ndërsa tregjet prisnin që Madridi të kërkojë ndihmë së shpejti.

XS
SM
MD
LG