Lidhje

Greqi, kriza prek sistemin shëndetsor


Shumë grekë nuk janë në gjendje të përballojnë ilaçet bazë ose pagesën prej 5 eurosh për t’u shtruar në spital

Ndërsa shtohet borxhi dhe papunësia dhe ndërkohë që rrjeti i sigurimeve shoqërore gjithnjë e më shumë nuk është në gjendje të përballojë kërkesat, Greqia duket se është në prag të një krize të rëndë të sistemit shëndetësor. Shumë grekë nuk mund të përballojnë ilaçet bazë. Një familje që u vizitua nga rrjeti televiziv britanik, Sky News, thotë se ata nuk mund të përballojnë ilaçet tepër të nevojshme për një të afërm të moshuar, madje rrezikohen tani t’u pritet rryma elektrike.

Shumë grekë nuk janë në gjendje të përballojnë ilaçet bazë ose pagesën prej 5 eurosh për t’u shtruar në spital, që u vendos fillimisht nga një qeveri e mëparshme si pjesë e masave të ashpra ekonomike.

Familja Kazulas ka filluar të kërkojë ndihmë nga një klinikë, që ofron shërbim falas në Athinë, e cila fillimisht u hap për të ndihmuar emigrantët e paligjshëm.

Në dritaren e shtëpisë së tyre, e cila ndodhet vetëm disa metra nga një prej centraleve kryesorë elektrikë të Athinës, është vendosur një thirrje drejtuar autoriteteve për të mos ndërprerë rrymën elektrike.

Viki Kazulas humbi punën në një fabrikë para 3 vjetësh.

Të ardhurat mujore të familjes janë shumë të pakta dhe ata mezi paguajnë faturat kryesore.

Përveç elektricitetit, kostoja më e madhe janë ilaçet për nënën e Vikit, Helena.
Ajo vuan nga probleme të frymëmarrjes dhe të zemrës, por shteti nuk subvencionon më kurimin e saj.

Në rast se Helena ka nevojë urgjentisht për t’u parë nga mjeku, familja thotë se ata nuk mund të përballojnë pagesën e shtrimit në spital.

Viki shkon në klinikën që ofron shërbim falas. Asaj i duhet 3 orë të shkojë dhe të kthehet në shtëpi. Vetë qendra nuk ka ilaçe dhe furnizime të tjera të mjaftueshme, duke filluar nga ilaçet bazë deri te ilaçet e astmës dhe insulinën.

Kriza e rëndë ekonomike dhe recesioni për të pestin vit me radhë e ka çuar sistemin shëndetsor të Greqisë në një pikë shumë të vështirë.

E ndodhur nën presionin e Bashkimit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria e Athinës ka bashkuar një numër fondesh të sigurimeve shoqërore në një institucion të vetëm, Organizata Kombëtare e Kujdesit Shëndetsor, pasi u ndihmua fillimisht me hua emergjente në maj të vitit 2010.

Farmacitë nuk paguhen më nga shteti që të japin ilaçe falas, prandaj shumë prej tyre po mbyllen ose po hidhen në grevë sepse qeveria u ka borxhe.

"Shteti nuk na ka paguar më një vit e gjysëm. Ne jemi zhytur në borxhe të mëdha dhe nuk mund të durrojmë më", thotë farmacistja e Athinës, Evaggelia Rousi.

Drejtori i Shoqatës Farmaceotike, Dimitris Karageorgiou, e cilësoi situatën si "të tmerrshme".

"Mund të them se Greqia nuk ka më ilaçe", paralajmëroi ai.

Shumica e furnizimeve mjeksore të Greqisë importohen.

Nëse Greqia del nga Eurozona dhe kthen monedhën e saj, dhraminë, ekziston shqetësimi nëse vendi do të jetë në gjendje të importojë ilaçe dhe furnizime të tjera mjeksore.
XS
SM
MD
LG