Lidhje

Greqi, gjykata dërgon në burg udhëheqësit e Agimit të Artë


Udhëheqësi i partisë Agimi i Artë, Nikos Michaloliakos, duke lënë banesën e tij në Athinë (22 tetor 2020)

ATHINË – Udhëheqësi dhe themeluesi i Partisë neo-naziste Agimi i Artë iu vetëdorëzua autoriteteve pasi një gjykatë e dënoi atë dhe zyrtarë të tjerë të lartë të kësaj partie me mbi 13 vite burg, lidhur me drejtimin e një organizate kriminale të kamufluar si parti politike.

Ky është një vendim historik që pritet të ketë ndikim tek partitë e tjera të djathta në mbarë Evropën.

Megjithatë, ndërsa trupi gjykues prej tre anëtarësh lëshonte urdhërat për fillimin e menjëhershëm të vuajtjes së dënimit të udhëheqësve të Partisë Agimi i Artë, disa prej tyre u paraqitën sfidues.

Nikos Michaloliakos, udhëheqësi i Agimit të Artë, doli nga shtëpia e tij duke u zotuar se do të kthehej së shpejti.

“Ne do të dalim të pafajshëm!”, bërtiti ai. “Jam krenar që më çojnë në burg për shkak të ideve të mia. Historia dhe populli grek do të na nxjerrë të pafajshëm”, tha ai.

Zoti Michaloliakos dhe gjashtë anëtarë të tjerë të udhëheqjes së Agimit të Artë janë ish-deputetë të parlamentit grek. Njëri prej tyre vazhdon të jetë anëtar i Parlamentit Evropian.

Ata u dënuan më herët këtë muaj me mbi 13 vite burg për drejtimin e një fushate dhjetëvjeçare dhune që kishte nën shënjestër persona nga e majta politike dhe me origjinë jo greke.

Megjithë dënimin e tyre, të pandehurit u përpoqën me ditë të tëra në gjykatë për të fituar zbutje ose falje të dënimit. Madje edhe prokuroi i çështjes rekomandoi që neonazistët të mos futeshin në burg, me argumentin se nuk kishin histori të mëparshme kriminale.

Megjithatë pas vonesash të përsëritura dhe ditësh të tëra me paraqitje argumentash, gjykatësja Maria Lepenioti urdhëroi vuajtjen e dënimit në qeli për të gjithë udhëheqjen e këtij grupimi, duke këmbëngulur që të fillonte menjëherë zbatimi i këtij urdhëri.

Policia ka nisur grumbullim e udhëheqësve të Agimit të Artë të cilët pritet që t’i apelojnë dënimet.

Vendimi është historik, tha prokurori Kosta Papadakis pasi shemb misticizimin që rrethonte Agimin e Artë.

Me simbolin që i ngjan svastikas naziste dhe përshëndetjen me krahun e shtrirë që lartëson Adolf Hitlerin, Agimi i Artë është një parti neonaziste që u shfaq nga hiçi, duke fituar avantazh befasues gjatë krizës së errët ekonomike të Greqisë.

Nga vetëm 200 mijë vota të marra në vitin 2009, kjo parti arriti të fitojë brenda tre viteve 7 për qind të votave dhe 21 deputetë në parlament.

Ata e ruajtën pozitën e arritur deri në 2019, me 18 deputetë në parlamentin grek.

Asnjë parti fashiste në Evropë nuk ka arritur avantazh të tillë në zgjedhjet e përgjithshme prej vitesh.

Ajo që e dalloi Agimin e Artë dhe që ndoshta e bëri më të rrezikshëm se të gjithë grupet e tjera naziste në Evropë, ishte se në publik shumë prej anëtarëve të saj predikonin politika të respektueshme dhe shërbimin ndaj komunitetit duke vendosur grekët të parët.

Shumë prej anëtarëve ndihmonin duke shoqëruar vajzat natën përmes kryeqytetit të vendit të përfshirë nga kriminaliteti me qëllimi për t’i mbrojtur ato. Ata u vinin në ndihmë të moshuarve dhe u sillnin ushqime e veshje personave në nevojë, përfshi dhjetëra mijëra grekëve që humbën vendet e punës për shkak të krizës financiare.

Por ata gjithashtu perceptoheshin si nazistët për të cilët flitet në librat e historisë të gjithë të motivuar nga racizmi i thellë dhe admirimi për Adolf Hitlerin, nga retorika e tij ekstremiste, tubimet me pishtarë dhe valëvitje flamujsh, rekrutimi i pareshtur i të rinjve dhe themelimi i grupeve të dhunshme që endeshin shpesh rrugëve të vendit, duke sulmuar emigrantët, sindikalistët komunistë dhe homoseksualët.

Nëna e reperit të vrarë Fyssas duke brohoritur vendimin e gjykatës
Nëna e reperit të vrarë Fyssas duke brohoritur vendimin e gjykatës

Sulmi vdekjeprurës në vitin 2013 ndaj Pavlos Fyssas detyroi më në fund autoritetet ta godasin këtë grup të dhunshëm e të burgosin udhëheqësit e tyre.

Nuk është e qartë nëse kjo parti mundet apo do të vazhdojë të jetë operative. Gjithashtu është e paqartë nëse fundi i Agimit të Artë do të largonte qasjen ekstremiste të së djathtës apo tendencat raciste ende të forta në radhët e shoqërisë greke.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG