Lidhje

Greqia në prag të zgjedhjeve


Alexis Tsipras i partisë së krahut të majtë Syriza ka premtuar ta nxjerrë vendin nga marrëveshjet e ndihmave

Nesër grekët shkojnë përsëri në zgjedhje të përgjithshme, për të dytën herë në gjashtë javë. Të zemëruar nga vështirësitë ekonomike të pafund, në votimet e 6 majit grekët hoqën dorë nga votimi në favor të dy partive tradicionale, ajo konservatore, Demokarcia e Re dhe ajo socialiste, Pasoku. Një kandidat e fortë për zgjedhjet e nesërme është Alexis Tsipras, i partisë së krahut të majtë Syriza, që ka premtuar ta nxjerrë vendin nga marrëveshjet e ndihmave dhe të masave të rrepta ekonomike. Por çfarë pasojash do të kishte kjo në Eurozonë dhe në ekonominë botërore.

Parashkevi Thoma dhe i shoqi janë pa punë dhe e ardhmja e tyre duket e pasigurtë. Kriza e ekonomike e vendit i ka goditur fort dhe ata përpiqen me vështirësi për të siguruar jetesën për djalin e tyre 5-vjeçar dhe dy vajzat binjake 6-muajshe. Zonja Thoma thotë se nuk e kanë paguar qiranë e shtëpisë prej 400 Eurosh që prej tre muajsh dhe i janë drejtuar për ndihmë bashkisë së qytetit.

“Kur ke tre fëmijë dhe je pa punë, detyrohesh të kërkosh ndihmë. Ose përndryshe të gjithë ne do të fillonim të vidhnim, apo të vrisnim... Prandaj kërkova ndihmë...”

Familja është në dilemë, ndërsa Greqia nesër ndodhet para një zgjedhjeje të vështirë, në votimet ndoshta më kritiket për vendin prej rreth 50 vjetësh. Gjendja e familjes Thoma është një mesazh se grekët e kanë humbur durimin ndaj masave të ashpëra ekonomike që i janë kërkuar vendit të zbatojë në këmbim të huave prej miliarda eurosh nga vendet e tjera të Eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Kriza financiare 2-vjeçare ka përmbysur njëkohësisht skenën politike të Greqisë, duke goditur dy partitë kryesore politike që kanë drejtuar vendin prej disa dekadash, të cilat grekët i fajësojnë se e kanë çuar vendin drejt humnerës brenda vetëm disa vjetësh.

Në vend të tyre, grekët votuan për partitë më radikale. Një kandidat i fortë për zgjedhjet e nesërme është 37-vjeçari Alexis Tsipras, i partisë së krahut të majtë Syriza, i cili kanë premtuar ta nxjerrin vendin nga marrëveshjet e ndihmave dhe të masave të rrepta ekonomike. Kjo i ka tmerruar udhëheqësit evropianë dhe shumë grekë. Në se Syriza fiton dhe heq dorë nga marrëveshjet e mëparshme, Greqia nuk do të mund të paguante më borxhin dhe do të kthehej përsëri tek monedha e mëparshme, Dhrahmia.

Askush nuk e ka të qartë se si do të funksionojë kjo, sepse nuk ekziston një mekanizëm për vendet që largohen nga Eurozona. Kriza politike në Greqi ka ndikuar në tregjet financiare botërore. Analistët kanë shprehur shqetësimin se një dalje e Greqisë nga Eurozona mund të dëmtonte rëndë tregjet financiare në botë dhe t’u shkaktonte miliarda dollarë humbje bankave evropiane, në se Greqia do të shpallte falimentimin dhe nuk do të ishte në gjendje të paguante borxhet.
XS
SM
MD
LG