Lidhje

Vijon beteja me zjarret në ishullin grek, Evia 


Greqi

Mijëra njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre në ishullin grek, Evia, pasi zjarret e pakontrolluara po vijojnë të përhapen me shpejtësi në ditën e gjashtë të tyre. Disa tragete janë në gatishmëri për të bërë më shumë evakuime të banorëve lokalë.

Zjarri në ishullin Evia, një ishull i madh në lindje të kryeqytetit grek, u përhap shpejt në disa fronte duke djegur mijëra hektarë pyje dhe duke detyruar evakuimin e dhjetëra fshatrave.

“Ndihem e trishtuar. Kam humbur shtëpinë ... Asgjë nuk do të jetë njësoj nesër”, thotë një banorë për agjencinë e lajmeve Reuters.

“Është një katastrofë. Fshatrat tanë janë shkatërruar, nuk ka mbetur asgjë nga shtëpitë e pronat tona, asgjë, asgjë”, thotë një tjetër banore.

Prej ditësh, në Greqi autoritetet po përpiqen të vënë nën kontroll disa vatra zjarri, ndërsa moti i nxehtë ka goditur vendin me temperatura që nuk janë regjistruar gjatë 30 viteve të fundit.

Në të gjithë vendin, mijëra hektarë tokë janë djegur dhe dhjetëra shtëpi dhe biznese janë shkatërruar.

Greqia ka aktivizuar ushtrinë për të ndihmuar forcat zjarrfikëse, ndërsa ndihma përfshirë avionë zjarrfikëse, janë dërguar nga Franca, Spanja, Zvicra dhe Egjipti.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis e quajti stinën një “verë makthi”, duke shtuar se përparësia e qeverisë “ka qenë, para së gjithash, të mbrojë jetët e njerëzve.”

XS
SM
MD
LG