Lidhje

Eurozona vlerëson perspektivën e Greqisë në Euro


Udhëheqësit evropianë kanë diskutuar rreth mundësisë që Greqia të ikë nga Euroja

Gjashtëmbëdhjetë vende të Eurozonës po vlerësojnë ndikimet financiare që mund të ketë një dalje e mundshme e Greqisë nga monedha e përbashkët evropiane.

Ndonëse shprehin shpresë që Greqia nuk do të largohet nga Eurozona, gjithnjë e më shpesh kohët e fundit, udhëheqësit evropianë kanë diskutuar rreth mundësisë që qeveria e Athinës t’i japë fund përdorimit të Euros dhe të rikthejë në qarkullim monedhën e mëparshme të vendit, Dhrahminë.

Analistët kanë shprehur shqetësimin se një dalje e Greqisë nga Eurozona mund të dëmtonte rëndë tregjet ndërkombëtare financiare dhe t’u shkaktonte miliarda dollarë humbje bankave evropiane, në se Greqia do të shpallte falimentimin dhe nuk do të ishte në gjendje të paguante borxhet.

Zyrtarët bënë të ditur të mërkurën se zyrtarë të lartë financiare të Eurozonës kanë rënë dakort që 16 vendet anëtare të përgatisin plane paraprake për ndikimin që mund të kishte mbi vendin e tyre dalje e Greqisë nga Eurozona.

Fqinjët evropianë të Greqisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar miratuan në fillim të vitit një paketë ndihmash prej miliarda dollarësh për Greqinë duke e kushtëzuar ndihmën me zbatimin nga Greqia të masave të ashpra financiare, që u kundërshtuan ashpër nga grekët gjatë votimeve.

Pas zgjedhjeve të përgjithshme në fillim të muajit, klasa politike e përçarë greke nuk arriti të formojë dot një qeveri dhe zgjedhjet do të përsëriten muajin e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG