Lidhje

Shpresa për shmangien e daljes së Greqisë nga Eurozona


FMN kërkon më shumë fonde për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës së borxheve në Evropë
FMN kërkon më shumë fonde për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës së borxheve në Evropë
Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian u mblodhën dje në Bruksel në përpjekje për të zgjidhur krizën e borxhit në rritje të organizatës. Ata diskutuan për gjendjen në Greqi dhe për rrugët e shmangies së largimit të saj nga Eurozona, ndërkohë që mosmarrëveshjet mbeten për mënyrën e përballimit të krizës së borxhit në kontinent.

Takimi i nivelit të lartë u mbizotërua nga thirrjet për masa rritjeje, hapja e vendeve të reja të punës dhe stimulimi i ekonomisë së trazuar të Eurozonës, që është goditur nga lajme negative. Udhëheqësit folën gjithashtu edhe për rrugët e mundshme të shmangies së daljes së Greqisë nga Eurozona.

Presidenti francez Francois Hollande tha se Bashkimi Evropian nuk duhet ta braktisë Greqinë nëse ajo respekton angazhimet e mëparshme.

“Lidhur me Greqinë, u miratua një deklaratë për të rikonfirmuar vullnetin e vendeve anëtare të BE-së dhe jo vetëm të Eurozonës që Greqia të mbetet në Eurozonë ndërkohë që plotëson angazhimet e veta dhe që mbështet përpjekjet e Eurozonës për të mbështetur Greqinë”.

Edhe Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso beson se nuk duhet marrë asnjë vendim për Greqinë para zgjedhjeve të 17 qershorit.

“Mesazhi që dërgojmë sot është i qartë: ne do ta mbështesim Greqinë, ndërsa Greqia plotëson angazhimet e veta. Në Greqi po zhvillohet një proces demokratik të cilin ne e respektojmë dhe do të presim që Greqia ta thotë fjalën e vet më 17 qershor”.

Por ndryshimet në këndvështrimet për zgjidhjen e krizës ekonomikë në Evropë vazhdojnë. Presidenti francez Francois Hollande është zhvendosur nga qëndrimi i paraardhësit të tij dhe në vend të masave të rrepta financiare po bën thirrje për letra me vlerë të Eurozonës si mënyrë për të ulur koston e huamarrjes dhe nxitur rritjen ekonomike.

Kjo ide kundërshtohet nga udhëheqësja e ekonomisë më të madhe të Evropës, kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel e cila thotë se letrat me vlerë vetëm do ta shtonin borxhin në vendet të cilat nuk e përballojnë dot.
XS
SM
MD
LG