Lidhje

Vazhdon greva e urisë dita 24


Nga 25 grevistët e fillimit aktualisht tani po e vazhdojnë grevën e urisë vetëm 8 ish të dënuar politikë.

Një grup ish të burgosurish politikës të diktaturës komuniste po vazhdojnë sot për të 24-tën ditë një grevë urie, duke kërkuar dëmshpërblimet e burgimit të padrejtë, për të cilin kanë marrë pafajësinë në fillim të viteve 90. Gjendja e tyre shëndetësore vazhdon të rëndohet, megjithë kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve të urgjencës mjekësore.

Disa prej grevistëve janë dërguar në spital për të marrë serume dhe mjekime të specializuara, njeri prej tyre ka shkuar në shtëpi për shkak se ka vajzën sëmurë dhe dy të tjerë Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko u dërguan jashtë shtetit në Itali dhe Greqi për të mjekuar plagët e rënda që morën nga vetëdjegia me benzinë në mjediset pranë grevës së urisë. Nga 25 grevistët e fillimit aktualisht tani po e vazhdojnë grevën e urisë vetëm 8 ish të dënuar politikë. Ata këmbëngulin se protesta e tyre ka vetëm kërkesa ekonomike; ish të burgosurit politikë prej më shumë se tre javësh në grevë urie po kërkojnë dëmshpërblimin financiar për vitet në burgjet e diktaturës komuniste‬.

Greva e urisë është vështirësuar edhe për shkak të kushteve të motit. Shirat e rrëmbyer dhe moti me temperatura të ulëta po mbizotëron në mjediset e hapura dhe tendat e grevës, të cilat u përmbytën nga shirat e rrëmbyer gjatë natës.



Komisioni parlamentar i ligjeve vendosi sot që ministri i drejtësisë, Eduard Halimi të dëgjohet nesër në një raport lidhur me çështjen e të përndjekurve politikë, pas një kërkese të deputetëve socialistë të opozitës. Përveç raportit të ministrit të drejtësisë ende nuk ka ndonjë shenjë se autoritetet shtetërore mund të ulen në bisedime me grevistët e urisë. Përfaqësues të qeverisë pohojnë se greva e tyre po përdoret politikisht dhe se ligji po zbatohet rregullisht, duke u shpërndarë atyre këstet e programuara.

Grevistët u takuan tre ditë më parë me presidentin e republikës, Bujar Nishani, tek i cili mbajtën shpresa se do të ndërmjetësonte për zgjidhjen e kërkesave të tyre. njëjtat shpresa ata poi ndjekin edhe tek avokati i popullit, dhe te diplomatët perëndimorë, të cilët po bëjnë thirrje për dalog dhe mirëkuptim mes palëve.

Por këto ndërmjetësime po vonojnë, ndërsa gjendja shëndetësore tek greva e urisë sa vjen dhe rëndohet. Kryetari i grevës së urisë, Gjergj Ndreca dhe një veprimtar tjetër i kësaj shtrese Lirak Bejko, ndezën zjarr mbi trupat e tyre në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe qeverisë ndaj kërkesave të tyre.
XS
SM
MD
LG