Lidhje

Gruevski: Hungaria më dha strehim politik


Ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, i cili u dënua me dy vjet burgim për akuza të lidhura me korrupsionin, konfirmoi të martën se i ishte dhënë strehim politik në Hungari.

"Sot Republika e Hungarisë, një shtet anëtar i BE-së dhe NATO-s, iu përgjigj pozitivisht kërkesës time të paraqitur më parë për të marrë strehim politik për shkak të përndjekjes politike në Republikën e Maqedonisë”, shkruante Gruevski në faqen e tij në Facebook.

Ministria e Drejtësisë në Maqedoni ia ka nisur të martën kërkesën Ministrisë hungareze të Drejtësisë për ekstradimin e Nikolla Gruevskit. Kërkesa ka të bëjë me zbatimin e vendimit fuqiplotë të Gjykatës Penale në Shkup, e cila e dënoi me dy vjet burg zotin Gruevski për korrupsion. Po ashtu, ministria maqedonase vë në dukje katër procedurat paralele gjyqësore që po zhvillohen kundër tij, nën akuzat për vepra penale.

Autoritetet maqedonase nënvizojnë në kërkesë se asnjë prej veprave për çka është dënuar apo akuzohet zoti Gruevski nuk është politike e as vepër penale ushtarake, përkatësisht se këto vepra nuk parashihen në konventën evropiane për ekstradim si vepra për të cilat mund të refuzohet ekstradimi.

“Të drejtat e Nikolla Gruevskit në çdo kohë janë siguruar, përfshirë të drejtën për mbrojtje para organeve gjyqësore në pajtim me konventën evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe liritë themelore. Nikolla Gruevski është mbrojtur duke qenë i lirë dhe në asnjë procedurë atij nuk i është caktuar masa e paraburgimit. Kishte siguruar më tepër avokatë mbrojtës sipas zgedhjes së tij, me të cilët kishte komunikim të pandërprerë dhe i shfrytëzonte të gjitha të drejtat që i takojnë në bazë të Ligjit për procedurë penale”, thuhet në këresën për ekstradimin.

Ministria maqedonase e Drejtësisë bën të ditur më tej se procedurat gjyqësore kundër Nikolla Gruevskit janë vëzhguar nga OSBE-ja, anëtare e së cilës është edhe Hungaria dhe se në asnjë moment nuk ka pasur reagime nga tashmë i dënuari dhe i akuzuari, apo nga pala mbrojtëse për parregullsi gjatë gjyqit.

Ish-kryeministri maqedonas kishte gjashtë truproje të angazhuara nga ministria e rendit dhe asnjëherë nuk ka pasur ndonjë njoftim nga ana e tij për kërcënime me jetë ndaj tij apo ndaj familjes së tij.

Autoritetet maqedonase kërkojnë ekstradimin e Nikolla Gruevskit dhe duke pasur parasysh seriozitetin e veprave penale, këmbëngulin që ai të privohet nga liria dhe të mbahet në paraburgim. Shkupi ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar kundër tij.

Por, ish-kryeministri maqedonas Gruevski është paraqitur të marten pasdite në Facebook ku shkruan se autoritetet hungareze i ishin përgjugjur pozitivisht kërkesës së tij për strehim politik. Në një status të gjatë, ai shkruan se pushteti i drejtuar nga Lidhja Social Demokrate në Maqedoni po bënte përndjekjen politike të tij.

“Qeveria dëshiron të më marrë lirinë duke shfrytëzuar hapa dhe metoda jodemokratike duke keqpërdorur sistemin gjyqësor në Maqedoni”, shkruan zoti Gruevski, duke theksuar “torturat që pas ardhjes së social-demokratëve në pushtet po i përjetonte ai dhe një numër i madh i bashkëpunëtorëve të tij”, teksa thekson se ua ka bërë me dije autoriteteve në Budapest se në Maqedoni nuk ekzistojnë kushte për një proces të drejtë dhe të ndershëm gjyqësor dhe as “nuk ishte në gjendje ta mbrojë jetën e tij nga përndjekja dhe kanosjet e shumta të inicuara nga qeveria”, sipas tij.

Autoritetet hungareze nuk kanë pohuar zyrtarisht në lidhje me vendimin për dhënien e azilit politik Nikolla Gruevskit, ndërkaq gazeta e përditshme “Magjar Idok” e njohur për afërsinë me pushtetin, shkruan se janë pranuar të gjtha ankesat, të cilat zoti Gruevski i kishte paraqitur në lidhje me trajtimin në Maqedoni, si gjatë procesit gjyqësor, po ashtu edhe për rrezikun nëse përfundonte në burg. Gazeta shkruan se Gruevski kishte marrë mesazhe kërcënuese në disa javët e fundit dhe se ai do të likuidohej në burg.

Ai u arratis nga Maqedonia përmes Shqipërisë, siç kanë pohuar autoritet policore shqiptare, megjithëse ende ka paqartësi se si kishte hyrë brenda territorit shqiptar. Gruevski kishte kaluar nga Shqipëria për në Mal të Zi me datë 11 nëntor tek vendkalimi Hani i Hotit, i shoqëruar nga zyrtarë të ambasadës hungareze, me një makinë me targa hungareze. Nga Mali i Zi, ai kishte kaluar në Serbi dhe sipas shtypit serb, kishte kaluar në vend-kalimin kufitar Horgosh me Hungarinë në ora 5 të mëngesit të 12 nëntorit.

Autoritetet kufitare serbe i kishin kërkuar, sipas shtypit në Beograd, përveç letërnjoftimit edhe ndonjë dokument tjetër udhëtimi dhe “Gruevski në atë rast kishte treguar një dokument që i mundëson vetëm një hyrje në Hungari të lëshuar nga ambasada hungareze në Tiranë. Pastaj atij i ishte lejuar të kalonte në territorin e Hungarisë”.

Ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski duhej të vuajë dy vjet burg për shkak të ushtrimit të ndikimit për përfitimin e një dhurate të jashtligjshme përmes një tenderi po të jashtligjshëm, përkatësisht për blerjen e një Mercedesi luksoz prej rreth 600 mijë eurosh nga buxheti i ministrisë së rendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG