Lidhje

Grupi i rezistencës kundër talebanëve regjistrohet në Shtetet e Bashkuara


Anëtarë të rezistencës afgane kundër talebanëve qëndrojnë në një kodër në provincën Panjshir (27 gusht 2021)

Zyrtarët amerikanë konfirmuan se një grup i krijuar rishtazi për rezistencën e armatosur ndaj talebanëve u regjistrua me Departamentin amerikan të Drejtësisë për të ushtruar aktivitet lobimi politik në Shtetet e Bashkuara.

Konfirmimi erdhi pas pretendimeve të Frontit Kombëtar të Rezistencës Anti-Talebane (NRF) se zyra e tij për çështjet ndërkombëtare "ka marrë autorizimin për t'u hapur zyrtarisht" në Amerikë.

Ali Maisam Nazary, kreu i marrëdhënieve me jashtë për grupin anti-taleban, e bëri njoftimin të premten nëpërmjet Twitterit, duke premtuar se NRF-ja "do ta zgjerojë së shpejti aktivitetin në mbarë globin".

Një zëdhënës për Departamentin amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se "jemi në dijeni se një entitet që e quan veten 'Fronti Kombëtar i Rezistencës' është regjistruar më 26 tetor sipas Ligjit për Agjentët e Huaj".

Zëdhënësi sidoqoftë shpjegoi se vendimi për t'u regjistruar i përket palës kërkuese dhe nuk pasohet nga ndonjë veprim i mëtejshëm apo aprovim nga Departamenti i Drejtësisë apo ndonjë entitet tjetër i qeverisë amerikane.

"Në përgjithësi, organizata si kjo mund të hapin zyra në Shtetet e Bashkuara dhe nuk është e nevojshme përfshirja e Departamentit të Shtetit", tha zëdhënësi.

Talebanët morën kontrollin e Afganistanit në muajin gusht, pasi larguan qeverinë e mbështetur nga Perëndimi në Kabul, ndërsa forcat amerikane dhe të NATO-s tërhiqeshin nga vendi pas 20 vitesh përfshirjeje në luftë.

Grupi islamist, i cili përbëhet kryesisht nga anëtarët e shumicës etnike pashtune, njoftoi një amnisti të plotë për të gjithë ata që shërbyen në qeverinë e mëparshme pasi rifituan kontrollin e vendit, megjithëse luftëtarët talebanë akuzohen për vrasjet e ish-anëtarëve të forcave afgane të sigurisë.

NRF-ja pretendon se ka ngritur baza në pjesët kryesore malore në Luginën Panjshir, një provincë me mbizotërim etnik taxhik, rreth 100 kilometra në verilindje të kryeqytetit afgan, Kabulit. Zyrtarët talebanë hedhin poshtë këto pretendime dhe thonë se liderët e të ashtuquajturës rezistencë janë larguar prej kohësh nga Afganistani.

Luftëtarët e NRF-së vijnë nga forcat afgane të sigurisë të trajnuar nga Shtetet e Bashkuara dhe nga milicitë lokale, megjithëse numri i tyre i saktë nuk dihet. Ata udhëhiqen nga Ahmad Massoud, djali 32-vjeçar i ish-udhëheqësit të Aleancës Veriore, Ahmad Shah Massoud, i mbiquajtur "Luani i Panjshirit" për përpjekjet e tij për t'i rezistuar sundimit taleban në vitet 1990. Në vitin 2001, Aleanca Veriore ndihmoi forcat amerikane të largonin talebanët pas sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara më 11 shtator të atij viti.

Rusia, e cila ofroi mbështetje politike dhe ushtarake për fushatën anti-talebane të udhëhequr nga babai i zotit Massoud në vitet 1990, ka qenë plotësisht mbështetëse e qeverisë aktuale talebane. Të enjten, Moska shprehu shqetësimin për shfaqjen e grupeve afgane të rezistencës.

Zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid, duke reaguar ndaj kërcënimit të paraqitur nga NRF-ja ndaj qeverisë së tij dhe raporteve për hapjen e një zyre në SHBA, tha të shtunën se asnjë entitet nuk mund të kërcënojë popullin afgan në "emër të rezistencës apo ndonjë gjëje tjetër" dhe se asnjë aktivitet i tillë nuk do të lejohet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG