Lidhje

Shpërthen vullkani në Guatemalë - dhjetëra të vdekur


Autoritetet në Guatemalë thanë se të paktën 33 vetë kanë humbur jetën nga shpërthimi i vullkanit afër qytetit Guatemala Citi, që hodhi llavë të nxehtë dhe mbuloi me tym dhe hi fshatrat përreth. Gazetarët dhe autoritetet thonë se numri i të vdekurve pritet të rritet, ndërsa vazhdon nxjerrja e trupave të mbuluar nga hiri.

Zyrtarë të shërbimit të emergjencave thanë se fatkeqësia ka prekur jetën e më më tepër se 1 milionë njerëzve ndërsa më shumë se 3 mijë e 100 veta janë evakuuar dhe mbi 600 janë strehuar në dy provinca pranë.

"Është një lumë llave që ka tejmbushur brigjet e tij, duke u derdhur në fshatin El Rodeo. Ka njerëz të plagosur, të djegur dhe të vdekur. Ne po evakuojmë dhe po përpiqemi të shpëtojmë njerëz”, tha në radio bashkërenduesi kombëtar i emergjencave, Sergio Cabanas.

Vullkani Fuego ndodhet rreth 44 kilometra në jugperëndim të Guatemala Citi-t dhe është afër qytetit Antigua, një zonë turistike.

Aeroporti i fluturimeve ndërkombëtare “La Aurora” u mbyll nga frika se hiri mund të rrëzojë avionët.

Presidenti, Jimmy Morales, shpalli tre ditë zie kombëtare.


Facebook Forum

XS
SM
MD
LG