Lidhje

Haiti, një nga të dyshuarit ka qenë informator i DEA-s


Policia haitiane nën një mbikalim në Port-au-Prince, Haiti (12 korrik 2021)

Një nga të dyshuarit e implikuar në vrasjen e Presidentit Haitian Jovenel Moise ishte informator i DEA-s, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i Administratës për Zbatimin e Ligjit për Drogën (DEA) në një deklaratë me email.

"Herë pas here, një nga të dyshuarit për vrasjen e Presidentit Haitian Jovenel Moïse ishte një burim konfidencial për DEA-n", konfirmoi zyrtari. "Pas vrasjes së Presidentit Moïse, i dyshuari kontaktoi me përfaqësues të DEA-s. Një zyrtar i DEA-s në Haiti e nxiti të dyshuarin të dorëzohej tek autoritetet lokale dhe, së bashku me një zyrtar të Departamentit amerikan të Shtetit, i dha informacion qeverisë haitiane që ndihmoi në dorëzimin dhe arrestimin e të dyshuarit dhe të një individi tjetër".

Zyrtari i DEA-s nuk e identifikoi të dyshuarin.

Ambasadori haitian në Shtetet e Bashkuara, Bocchit Edmond u tha gazetarëve javën e kaluar se ai kishte parë pamjet filmike të marra nga policia kombëtare dhe të konsideruara të besueshme, në të cilat atentatorët, të cilët ai i përshkroi si "mercenarë", paraqiteshin si agjentë të DEA-s.

Ambasadori Bocchit Edmond (Twitter)
Ambasadori Bocchit Edmond (Twitter)

"Ata [po] flisnin spanjisht dhe u paraqitën si agjentë të DEA-s. Siç e dimë mirë, kjo nuk është mënyra se si vepron DEA. Unë besoj se ata janë agjentë të rremë të DEA-s. Ekspertët që panë videon thanë se ata janë vrasës profesionistë", u tha gazetarëve ambasadori Edmond.

"DEA është në dijeni të raporteve se vrasësit e Presidentit Moïse bërtitën 'DEA' në momentin e sulmit", tha zyrtari i Agjencisë së Zbatimit të Drogës. "Këta individë nuk po vepronin në emër të DEA-s".

Presidenti Moïse u qëllua për vdekje në rezidencën e tij private në një periferi të pasur të Port-au-Prince në orët e para të mëngjesit të 7 korrikut. Gruaja e tij, Martine Moïse, u plagos rëndë në sulm dhe është në gjendje të mirë pasi iu nënshtrua një operacioni në Miami, Florida.

Kryeministri i Përkohshëm Claude Joseph, i cili mori detyrën menjëherë pas vdekjes së presidentit, u tha gazetarëve të dielën se ai ka folur me zonjën e parë disa herë.

DEA nuk pranoi të thotë se sa agjentë të saj po punojnë aktualisht në Haiti, duke përmendur shqetësimet e "sigurisë". Sipas një raporti të Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit amerikan të Drejtësisë, DEA themeloi një zyrë në Haiti në vitin 1987, një vit pas grushtit të shtetit që largoi diktatorin Jean Claude Duvalier nga pushteti.

Arrestimet e deritanishme

Shefi i Policisë Kombëtare të Haitit, Leon Charles, tha se policia ka arrestuar 18 kolumbianë dhe tre haitianë në lidhje me sulmin dhe se të paktën pesë persona të tjerë besohet të jenë ende të lirë.

Tre amerikanët haitianë aktualisht nën arrest policor janë identifikuar si Christian Emmanuel Sanon, 63 vjeç, që besohet të jetë organizatori i komplotit të vrasjes, James Solages, 35 vjeç dhe Joseph G. Vincent, 55.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG