Lidhje

Guterres shpreh shqetësim për shkallëzimin e dhunës në Lindjen e Mesme


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha se është shumë i shqetësuar për shkallëzimin e dhunës në Gazë dhe në Izraelin jugor.

Ai tha çdo shkallëzim i mëtejshëm i tensioneve do të rrezikonte jetë njerëzish, do të thellonte "katastrofën humanitare" dhe do të minonte mbështetjen për kthimin e Autoritetit Palestinez në territor.

Këto komente ai i bëri pasi Hamasi tha të shtunën se ka arritur një marrëveshje me Izraelin, pas disa muaj tensionesh në rritje.

Megjithatë, të shtunën në mëngjes një tank izraelit hapi zjarr ndaj një postblloku të Hamasit në Gazë, pasi disa palestinezë u përpoqën me forcë ta kalojnë kufirin. Nuk pati njoftime për viktima.

Njoftimi për ndalimin e luftimeve vjen një ditë pasi në kufirin problematik të Gazës u vranë një ushtar i izraelit dhe 4 palestinezë.

Ushtari ishte i pari anëtar i ushtrisë izraelite që vritet në Gazë që nga lufta e vitit 2014 mes Izraelit dhe Hamasit.

Si hakmarrje, të premten avionët luftarakë dhe tanket izraelite vunë në shënjestër 60 qendra të Hamasit.

Kombet e Bashkuara i bënë thirrje të dyja palëve të “përmbahen, për shkak të rrezikut të shpërthimit të luftës”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG