Lidhje

Hamarberg: Të mbështetet Prokuroria në hetimin e 21 janarit


Hamarberg: Të mbështetet Prokuroria në hetimin e 21 janarit
Hamarberg: Të mbështetet Prokuroria në hetimin e 21 janarit

Komisioneri i Këshillit të Europës për të drejtat Njerëzore, Thomas Hammarberg, kërkoi sot që forcat politike shqiptare të bashkëpunojnë me prokurorinë e përgjithshme për hetimin mbi dhunën në demonstratën e 21 janarit në Tiranë.

Komisioneri Hammarberg theksoi sot gjatë publikimit të raportit të tij special pas vizitës treditore në Shqipëri, se “për shkeljet e të drejtave njerëzore në 21 janar duhet një hetim tërësor, i paanshëm dhe i besueshëm”, sa i takon ngjarjeve të dhunshme ku u humbën jetën 4 demonstrues dhe u plagosën një numër i konsiderueshëm qytetarësh dhe policësh.

Komisioneri i Këshillit të Europës thotë në përfundimet e raportit të tij se “është e domosdoshme që personat përgjegjës për aktet e dhunshme të japin llogari për to, si për të vendosur drejtësinë ashtu edhe për të parandaluar dhunën në demonstratat apo protestat politike në të ardhmen”.

Zoti Hammarberg shprehu keqardhjen se ka patur deklarata politike me kritika kundër prokurores së përgjithshme, ndonëse grupimet politike i deklaruan se Prokuroria e Përgjithshme është organi përgjegjës për hetimet.

“Polarizimi i skajshëm politik e bën veçanërisht të vështirë dhe delikate detyrën e Prokurorisë së Përgjithshme - theksoi ai. - Ndaj është e rëndësishme që gjithsecili të shmangë ndërhyrjet në hetimet e nisura dhe që autoritetet përkatëse, duke përfshirë dhe policinë, të bashkëpunojnë në mënyrë te plotë dhe në kohën e duhur me prokurorinë”. Sipas komisionerit europian Hammarberg, “ndihma teknike e Shteteve të Bashkuara për Prokurorinë e Përgjithshme ka një vlerë të konsiderueshme”, dhe propozoi që komuniteti ndërkombëtar të vazhdojë t’u përgjigjet pozitivisht kërkesave të tilla.

Komisioneri i Këshillit të Europës për të Drejtat Njerëzore, Thomas Hammarberg, takoi përfaqësues të institucioneve dhe forcave politike; presidentin Topi, kryeministrin Berisha, prokuroren e përgjithshme Rama, ministrin e brendshëm dhe atë të drejtësisë, avokatin e popullit dhe përfaqësues të Partisë Socialiste, përfaqësues të shoqatave dhe mediave në 13 deri në 15 shkurt, për të hetuar nga afër mbi shkeljet e ndodhura në 21 janar.

XS
SM
MD
LG