Lidhje

Hamza bin Ladeni dyshohet se është vrarë


Hamza bin Laden
Hamza bin Laden

Hamza bin Ladeni, djali dhe trashëgimtari i themeluesit të al-Kaidës Osama bin Ladenit, dyshohet se është vrarë gjatë një operacioni të mbështetur nga Uashingtoni.

Lajmi u konfirmua të mërkurën nga zyrtarë që folën në kushte anonimiteti. Sipas njoftimeve të para të rrjetit televiziv NBC News ai besohet të ishte në të 30-t.

Nga ana tjetër gazeta “New York Times” njoftoi se djali i Osama bin Ladenit ishte vrarë gjatë dy viteve të fundit në një operacion ku ishin përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Por zyrtarët i thanë gazetës se qeveria nuk e ka konfirmuar ende lajmin për vdekjen e tij dhe nuk ka pranuar të japë më shumë detaje mbi këtë çështje.

Shtetet e Bashkuara kishin ofruar një shpërblim deri në 1 milion dollarë për informacione që do të çonin në kapjen apo vrasjen e Hamza bin Ladenit, i cili ishte në krah të babait të tij kur al-Kaida nisi sulmet terroriste ndaj kullave binjake në Nju Jork dhe në Pentagon më 11 shtator të vitit 2001.

Sipas letrave të gjetura në kompleksin e Osama bin Ladenit në Abbottabad të Pakistanit, Hamza bin Ladeni ishte përgatitur që në moshë të re që të merrte drejtimin e grupit terrorist të udhëhequr nga babai i tij.

Vitet e fundit Hamza bin Laden ishte bërë një zë gjithnjë e më i spikatur brenda al-Kaidës. Sipas një regjistrimi audio të vitit 2015 ai ishte prezantuar zyrtarisht tek grupi terrorist nga udhëheqësi aktual i al-Kaidës Ayman al Zawahiri.

Në janar të vitit 2017 Shtetet e Bashkuara e përcaktuan Hamza bin Ladenin si person që ka kryer apo paraqet rrezik të konsiderueshëm për të kryer akte terrorizmi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG