Lidhje

Tirana reagon për lirimin e zotit Haradinaj


“Nuk kam pasur kurrë asnjë dyshim tek drejtësia dhe tek pafajësia e zotit Haradinaj” tha Kryeministri Berisha

Tirana zyrtare dhe politike mirëpriti sot shpalljen të pafajshëm dhe lirimin nga Gjykata e Hagës të kryetarit Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani deklaroi se vendimi i Gjykatës së Hagës për të çliruar nga të gjitha akuzat Ramush Haradinajn, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn është një fitore e rëndësishme e drejtësisë dhe shprehje e shkëlqyer e paanësisë së kësaj Gjykate.

"Ky vendim ka një dimension human për familjarët dhe të afërmit, është i një dimensioni kombëtar për shqiptarët që mbështetën me përpjekje të pandërprera çlirimin e Kosovës, për të rënët që bënë sakrificën sublime, për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për rolin dhe imazhin e saj në betejat për të mbrojtur qenien shqiptare nga një makineri shfarosëse dhe për të fituar lirinë" - thuhet në deklaratën e presidentit, të shpërndarë enkas për këtë ngjarje. Presidenti Nishani thekson se popujt e rajonit duhet të shikojnë nga e ardhmja e përbashkët duke lënë pas të shkuarën, por pa e harruar atë.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se “ky ishte lajmi më i gëzueshëm që më erdhi mua e të gjithë shqiptarëve”. Zoti Berisha tha se pafajësia e Ramush Haradinajt është triumf i drejtësisë ndërkombëtare e i ligjit ndërkombëtar, dhe se përpjekjet për të simetrizuar gjërat josimetrike kanë marrë përgjigjen e merituar nga Gjykata Ndërkombëtare.

“Nuk kam pasur kurrë asnjë dyshim tek drejtësia dhe tek pafajësia e zotit Haradinaj” - tha zoti Berisha, duke vlerësuar zotin Haradinaj si ish kryeministër i Kosovës e “komandant legjendar i njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që mbrojtën me qindra e qindra civilë nga barbaritë”. Kryeministri Berisha e ftoi zotin Haradinaj në Shqipëri, të festojnë së bashku këtë ditë të madhe dhe 100 vjetorin e pavarësisë, duke theksuar se një ditë më parë uroi gjeneralit Gotovina, “hero kombëtar i popullit mik kroat”, për pafajësinë që mori nga Gjykata Ndërkombëtare.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se Ramush Haradinaj është “heroi i gjallë i UÇK-së”. Ai ka fituar për herë të dytë pafajësinë dhe “lirimi i tij nga Tribunali i Hagës i ka dhënë edhe një herë të gjithë legjitimitetin dhe krenarinë kësaj lufte të drejtë që bëri populli shqiptar në Kosovë” - tha zoti Meta.
XS
SM
MD
LG