Lidhje

Vatër e re vullkanike në Havaji


Në Havaji është hapur një vatër e re vullkanike ndërkohë që vullkani “Kilauea” në Ishullin e Madh vazhdon të nxjerrë lavë. Zyrtarët e Institutit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara paralajmërojnë se vullkani ka hyrë në "një fazë më të vazhdueshme shpërthimi". Rënia e shkëmbinjve dhe shpërthimet e gazit nga krateri kanë krijuar re hiri, të cilat mund të irritojnë sytë dhe sistemin e frymëmarrjes. Vatra e re sjell numrin e përgjithshëm të plasaritjeve që po nxjerin lavë dhe gaz vullkanik në njëzet që nga shpërthimi i parë i tre majit.

Lava nga vatrat vullkanike, përfshirë një të re, ndriçoi mbrëmë Ishullin e Madh të Havajit. Shpërthimet e reja hodhën në ajër shkëmbinj të shkrirë.

"Pashë shkëmbinj vullkanikë duke fluturuar mbi pemët", thotë Richard Schott, banor i Havajit.

Një shtëllungë hiri ishte ngritur mbi vullkanin të martën, duke përhapur gaz sulfurik në ajër. Zyrtarët vlerësuan se cilësia e ajrit në zonë është e nivelit "të kuq", që do të thotë se ajri mund të paraqesë rrezik të menjëhershëm, veçanërisht për të moshuarit, njerëzit me probleme të frymëmarrjes dhe fëmijët.

Plasaritjet e tokës që kalojnë nëpër një zonë banimi kanë dëmtuar shtëpitë dhe kanë detyruar evakuimin e banorëve. Zyrtarët nuk mund të parashikojnë kohën se kur mund të ndodhë një shpërthim tjetër ose kur mund të ndalet aktiviteti vullkanik.

"Në këtë moment, lava ndodhet vetëm 3 kilometra larg autostradës 137 dhe po udhëton me një shpejtësi prej 91 metrash në orë. Vlerësimi është bërë në mëngjes, kështu që tani shpejtësia mund të jetë rritur ose zvogëluar", thotë majori i Gardës Kombëtare, Jeff Hickman.

Presidenti Donald Trump, me kërkesë të guvernatorit të shtetit David Ige, të premten e shpalli gjendjen në Havaji një fatkeqësi të madhe natyrore.

"Falënderoj guvernatorin Ige që na dha mundësinë t’i shkruajmë letër Presidentit Trump për t’i kërkuar shpalljen e gjendjes emergjente. Ai arriti ta bënte këtë brenda një dite dhe kjo e ndihmon kontenë e Havajit. Kjo ishte një përpjekje e përbashkët e zyrtarëve të shtetit dhe atyre të kontesë për të koordinuar operacionet në zonën e Leilanit", thotë Wil Okabe, drejtori menaxhues i kontesë së Havajit.

Zyrtarët vendas thonë se vetëm një pjesë e ishullit është prekur.

"Është një zonë shumë e vogël në Leilani, pra që nuk përfshin të gjithë ishullin. Kjo është një pjesë e tij", thotë Wil Okabe.

Ishujt e Havajit, duke përfshirë edhe atë të quajtur Ishulli i Madh, varen nga turizmi dhe bizneset duan të bindin vizitorët se pjesa më e madhe e ishullit është e sigurt dhe e hapur për biznes. Por zyrtarët e turizmit thonë se rezervimet për dhoma hoteli dhe ekskursione janë ulur me rreth 50 për qind dhe disa anije turistike kanë anuluar ndalesat në ishull.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG