Lidhje

Përfitimet e parandalimit të kequshqyerjes tek fëmijët


Ekspertët theksojnë se ushqyerja e fëmijëve është një nga strategjitë më të vlefshme që mund të ndërmarrë një vend. Në se fëmijët lihen të uritur, ata sëmuren më lehtë, kanë nevojë për më shumë kujdes të kushtueshëm shëndetësor dhe kur të rriten do të fitojnë më pak sesa të rriturit që janë ushqyer mirë.

Mosushqyerja e fëmijëve është një problem global. Ai ekziston edhe në vendet e pasura. Problemi prek një numër të madh fëmijësh në Azi, veçanërisht në jug të këtij kontinenti.

Në rajone të tjera, si në Afrikën nën-Sahariane, ai kërcënon mbijetesën e fëmijëve. Doktor Peter Salama përfaqëson UNICEF-in në Etiopi.

"Pothuajse çdo vend në Afrikë sot ka një nivel të lartë të mosushqyerjes. Pyetja është sa do të shkojë ky nivel."

Studimet e reja të publikuara në revistën mjekësore Lancet tregojnë se mosushqyerja shkakton 45 përqind të vdekjeve tek fëmijët nën moshën 5 vjeçare. Fëmijë të tjerë vuajnë nga probleme të tjera të zhvillimit trupor dhe mendor.

Problemi fillon në brendësi thotë mjeku Robert Black i universitetit Johns Hopkins, i cili drejton studimet. Ai foli për Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

“Nënat e kequshqyera kanë fetuse që nuk rriten siç duhet, pra kjo përbën një problem në vetvete. Foshnjet që lindin nën peshë kanë rrezik më të lartë dhe probleme të tjera të zhvillimit.”

Hulumtuesit thonë se në se vendet marrin disa masa të thjeshta, ato mund të shpëtojnë jetët e një milion fëmijëve në vit.

Propozimet përfshijnë dhënien e acidit folik dhe të kalciumit për nënat shtatëzëna, nxitja e të ushqyerit me qumësht gjiri, dhe dhënia e vitaminës A për fëmijët e vegjël.

Revista Lancet njofton se pakësimi i mosushqyerjes me 20 përqind do të kushtonte 9 miliardë dollarë.

Harold Alderman është me Institutin për Politikat Ushqimore dhe një nga autorët e studimit Lancet.

“Për çdo dollar të investuar, mund të marrësh një përfitim mes tetë apo dhjetë dollarëve. Është e rëndësishme të theksohet sesa të vlefshme janë këto investime për të shpëtuar jetët e njerëzve.”

Zoti Alderman thotë se qeveritë përfitojnë kur i ushqejnë mirë fëmijët.

“Më habit fakti se përse qeveritë i mendojnë investimet në ushqyerje si kompensim për të varfërit, duke thënë se do t’i bëjmë investimet tona produktive diku gjetkë. Këto janë investime produktive. Nuk ka dyshim. Shifrat e vërtetojnë këtë.”

Zoti Alderman thotë se investimi për ushqyerjen e fëmijëve do të përmirësonte ekonominë e një vendi pasi fëmijët e ushqyer mirë dalin më mirë me mësime dhe eventualisht bëhen një forcë më e mirë pune. Deklarata mbështetet nga studime të tjera që tregojnë se të rriturit që janë kequshqyer si fëmijë kanë 20 përqind më pak të ardhura sesa ata që kanë patur ushqim të mjaftueshëm.
XS
SM
MD
LG