Lidhje

Samiti mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë


Sheshi qendror i Helsinkit

Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë kanë rënë dakord të takohen më 16 korrik për të diskutuar rreth mosmarrëveshjeve të hershme për çështje globale, si konfliktet në Ukrainë dhe Siri, ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, si dhe zgjerimin e NATO-s në Evropën lindore. Takimi mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin zhvillohet menjëherë pas samitit të NATO-s në Bruksel, por të dy udhëheqësit kanë zgjedhur të takohen në territor neutral.

Takimi do të zhvillohet në kryeqytetin e Finlandës, Helsinki. Po këtu, ish-Presidenti amerikan Bill Clinton takoi homologun e tij rus Boris Yeltsin, në vitin 1997.

Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini konfirmuan njëkohësisht dje zhvillimin e samitit të ardhshëm. Por, edhe ndërsa po bëhej ky njoftim, Presidenti Trump vazhdoi të hedhë poshtë akuzat se Moska ndërhyri në zgjedhjet amerikane të vitit 2016-të. Ai vazhdoi të sulmojë hetimet e prokurorit të posaçëm Robert Mueller për lidhjet e anëtarëve të fushatës së tij elektorale, ndërsa sugjeroi në Twitter se e pranon mohimin e Rusisë të ndonjë ndërhyrjeje të mundshme.

Presidenti Trump pati folur vetëm një ditë më parë për pritshmëritë e tij nga takimi me Vladimir Putinin.

“Mendoj se gjëra shumë të mira mund të vijnë nga takimet me njerëzit. Patëm takime të shkëlqyera me Presidentin e Kinës. Në çdo vend që kam qenë, kemi patur takime të shkëlqyera. Pra, ndoshta do të dalë diçka e mirë prej këtij takimi”, u shpreh Presidenti Trump.

Presidenti Trump tha se në axhendë do të jenë çështjet dypalëshe, si dhe Ukraina dhe Siria, por nuk dha detaje të mëtejshme. I dërguari i Rusisë në OKB tha se takimi është një tregues se administrata amerikane ka kuptuar që nevojiten bisedime për shumë çështje.

“Kjo nuk është vetëm dëshira e të dyja vendeve, por edhe e të gjithë botës. Siç e thashë, nuk nevojitet vetëm për ne, por edhe për pjesën tjetër të botës, pasi kur ne biem dakort për diçka, bota merr frymë më lirshëm”, deklaroi Vassily Nebenzia, ambasador i Rusisë në OKB.

Shtetet e Bashkuara kanë patur marrëdhënie të tensionuara me Rusinë që kur pas aneksimit të gadishullit ukrainas Krime, në vitin 2014. Për pasojë, Rusisë iu pezullua pjesëmarrja në grupin e G-7ës. Gjithashtu, dy vendet mbështesin palë kundërshtare në luftën siriane.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, shtjelloi për një grup senatorësh pikëpamjen e Presidentit Trump për çështjen e Rusisë.

“Presidenti ka besimin e thellë se është e pashmangshme që Rusia të jetë pjesë e dialogjeve të rëndësishme gjeostrategjike, dhe sigurisht kemi një historik të gjatë për këtë. Marrëdhënia që kemi me Rusinë është më e varfëra që mund të mbaj mend gjatë gjithë jetës sime”, u shpreh Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.

Por, vetë Presidenti Trump kundërshtoi komentet e Sekretarit Pompeo, i cili deklaroi gjithashtu se gjatë samitit, Presidenti Trump sigurisht që do ta paralajmërojë Putinin se është “krejtësisht e papranueshme” ndërhyrja në zgjedhjet amerikane.

Presidenti Trump pati bëri thirrje për marrëdhënie më të mira me Rusinë që përpara se të merrte detyrën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG