Lidhje

Shqipëria dhe Kosova shënojnë rënie të lirive ekonomike


Heritage

Fondacioni Heritage publikoi raportin mbi Indeksin për Liritë Ekonomike në botë, sipas të cilit 89 nga 180 vende të përfshira kanë shënuar përmirësim, ndërsa 80 kanë pësuar rënie. Në nëntë vende të tjera, situata ka mbetur e pandryshuar.

Situata me pandeminë e COVID-19, sipas raportit pritet të ushtrojë ndikim të madh në liritë ekonomikë dhe zhvillimin ekonomik për disa vjet me radhë.

Shqipëria sipas raportit, ka 65.2 pikë në klasifikimin me 100 pikë të Indeksit për Lirinë Ekonomike, sipas të cilit 100 pikë është shkalla me lartë e lirisë. Këto pikë e radhisin atë në vendin e 65-të.

“Rezultati i saj i përgjithshëm është ulur me 1.7 pikë, kryesisht për shkak të rënies së të drejtave të pronës dhe efektivitetit gjyqësor. Shqipëria radhitet në vendin e 35-të midis 45 vendeve në rajonin e Evropës dhe rezultati i saj i përgjithshëm është nën mesataren e rajonit, por mbi mesataren botërore”, thuhet në raport, në të cilin theksohet se liritë ekonomike në Shqipëri arritën një pikë të lartë në vitin 2020, por pësuan rënie këtë vit, duke bllokuar paparimin drejt arritjes së mesatares evropiane.

Sidoqoftë, qeveria, thuhet në raport, ka arritur të mbajë nën kontroll deficitin buxhetor dhe borxhin publik ndërsa për të çuar përpara kandidaturën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të forcojë institucionet e shtetit të së drejtës dhe të përmirësojë rezultatet e saj në fushën e të drejtave të pronës, efektivitetin gjyqësor dhe integritetin e qeverisë.

Raporti nënvizon parashikimet se për shkak të pandemisë së COVID-19, ekonomia do të tkurret për 7.5 për qind.

“Ndihma nga donatorët ndërkombëtarë ka përmirësuar regjistrimin e pasurisë, por regjistri mbetet i paplotë dhe procedurat e vështira çojnë në dhënie ryshfeti Mbrojtja dhe zbatimi i të drejtave pronësore mbetet i dobët. Gjyqësori i pavarur i nënshtrohet trysnisë politike, frikësimit dhe ka burime të kufizuara. Më shumë se gjysma e kandidatëve për gjyqtarë ose prokurorë shkarkohen për shkak të lidhjeve me bandat ose pasurisë së pashpjegueshme. Administrata publike është joefikase, e paaftë dhe e korruptuar”, thuhet në raport.

Shpenzimet qeveritare, sipas tij, kanë arritur në 29.1 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar (GDP) gjatë tre viteve të fundit, deficitet buxhetore janë mesatarisht 1.6 për qind, ndërsa borxhi publik është i barabartë me 68.8 për qind të GDP-së.

Raporti vlerëson mes tjerash se vendi është i hapur ndaj investimeve të huaja dhe sistemi financiar mbetet i zhvilluar relativisht mirë dhe i qëndrueshëm, ndërsa sërish vë në pah vlerësimet edhe të raporteve të mëhershme se sektori bankar është i mbikëqyrur mirë, por përqindja e huave me probleme ka qenë në rritje.

Kosova ka 66.5 pikë në treguesin për liritë ekonomike që e radhisin atë në vendin e 58-të.

“Rezultati i saj i përgjithshëm është ulur me 0.9 pikë, kryesisht për shkak të një rënieje në fushën e të drejtave të pronës. Kosova radhitet në vendin e 32-të në mesin e 45 vendeve në rajonin e Evropës dhe rezultati i saj i përgjithshëm është nën mesataren e rajonit, por mbi mesataren botërore”.

Ekonomia e Kosovës është në radhën e ekonomive ‘mesatarisht të lira’, që nga përfshirja e saj në Indeks në vitin 2016.

“Liria ekonomike ndikohet nga paqëndrueshmëria politike, korrupsioni, një furnizim jo i qëndrueshëm me energji, ekonomia e madhe joformale, mosmarrëveshjet e pazgjidhura pronësore dhe një sundim i dobët i ligjit që pasqyrohet në rezultate të ulëta të Indeksit për të drejtat e pronës, efektivitetin gjyqësor dhe integritetin e qeverisë”, thuhet në raport.

Ndonëse konstaton përparim në zgjidhjen e pretendimeve pronësore, raporti thekson se ka shumë mosmarrëveshje për pronësinë e tokës midis shqiptarëve të Kosovës dhe pakicës serbe.

“Gjyqësori është i ndikuar nga pushteti ekzekutiv, gjykatat janë të mbushura me çështje të prapambetura të lidhura me pronën, dhe disa gjykatësve u mungon ekspertiza e mjaftueshme për të trajtuar çështjet e ndërlikuara ekonomike në mënyrë efektive. Sundimi i dobët i ligjit si pasojë, nuk arrin të kufizojë korrupsionin endemik në të gjitha nivelet e qeverisjes”, theksohet në raport.

Shpenzimet qeveritare kanë arritur në 28.9 për qind të GDP-së, përgjatë tri viteve të fundit, deficiti buxhetor në 2.4 për qind, ndërsa borxhi publik është i barabartë me 17.5 për qind të GDP-së.

Raporti thekson se “kostoja e për fillimin e një biznesi dhe sigurimin e energjisë elektrike është rritur dhe proceset në lidhje me lejet e ndërtimit tani janë më të ndërlikuara, zgjasin më shumë dhe kushtojnë më shumë. Shumica e veprimtarive në fushat e bujqësisë, ndërtimtarisë dhe bizneseve me pakicë, operojnë në mënyrë informale. Subvencionet e mëdha bujqësore dhe ato të lidhura me energjinë vazhdojnë dhe qeveria mbështet ndërmarrjet shtetërore që punojnë më humbje”.

Megjithatë, sipas raporti, në përgjithësi, investitorët e huaj apo vendas trajtohen në mënyrë të barabartë

Sistemi financiar është i dominuar nga bankat dhe në vitin 2020, Kosova mori disa masa të përkohshme për të lehtësuar ndikimin e menjëhershëm financiar të pandemisë së COVID-19 që pritet të çojë në një tkurrje ekonomike prej 7.5 për qind, thuhet mes tjerash në Indeksin për Liritë Ekonomike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG