Lidhje

Hetimet për shkarkimin e Presidentit; votim këtë javë në Kongres


Ligjvënësit dalin nga zona e klasifikuar për të folur me gazetarët
Ligjvënësit dalin nga zona e klasifikuar për të folur me gazetarët

Ligjvënësit e tre komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve po marrin sot informacion nga një dëshmitar kyç në hetimet që po zhvillohen lidhur me konktatet e Presidentit Trump me udhëheqësin e Ukrainës që mund të çojnë në procesin për shkarkimin e mundshëm të presidentit. Dëshmia e specialistit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Kolonel Lejtnant Alexander Vindman vjen një ditë pasi Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi njoftoi se vota për të ngritur apo jo akuza kundër presidentit do të zhvillohet të enjten në Dhomën e Përfaqësueve dhe jo në nivel komisionesh:

Ligjvënës të Komisioneve të Zbulimit, Punëve të Jashtme dhe të Mbikqyrjes po dëgjojnë dëshminë e specialistit kryesor për Ukrainën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Kolonel Alexander Vindman
Kolonel Alexander Vindman

Seanca, e cila zhvillohet me dyer të mbyllura, konsiderohet si një ndër momentet e rëndësishme në procesin hetimor nëse komunikimet e Presidentit Trump me udhëheqësin ukrainas Volodimir Zelenskiy përbëjnë shpërdorim autoriteti dhe abuzim të postit për përfitim personal.

Kolonel Lejtnanti Alexander Vindman, i cili ka shërbyer në radhët e ushtrisë në Irak dhe më pas si diplomat, po dëshmon para ligjvënësve se dëgjoi bisedën e Presidentit Trump me homologun ukrainas më 25 korrik dhe se ia kishte përcjellë shqetësimet konsulentit kryesor ligjor në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“Më shqetësoi telefonata,” shkruan zoti Vindman në dëshminë e përgatitur për sot, të cilën e siguroi mbrëmë agjencia e lajmeve Associated Press. “Nuk e mendoja se ishte e rregullt t’i kërkosh një qeverie të huaj të hetojë një shtetas amerikan. Më shqetësonin pasojat që mund të kishte tek ndihmat amerikane për Ukrainën”.

Presidenti Trump i kishte kërkuar homologut ukrainas të hapte hetime për demokratët dhe rolin e Ukrainës në zgjedhjet e 2016, si dhe mbi kompaninë Burisma, ku shërbente si anëtar i bordit djali i zotit Biden, ndërkohë që presidenti kishte ngrirë ndihmat ushtarake për Ukrainën.

Ushtaraku i lartë amerikan Alexander Vindman pat ngritur dy herë shqetësime se administrata Trump po i bënte presion Ukrainës të hetonte demokratët dhe ish-nënpresidentin Joe Biden, sipas dëshmisë që ai ka përgatitur të japë para ligjvënësve sot.

Kolonel Lejtnanti Vindman është zyrtari i parë i Shtëpisë së Bardhë që ka qenë i pranishëm dhe ka dëgjuar telefonatën, i cili po dëshmon në hetimet që mund të çojnë në hapjen e procesit për shkarkimin e presidentit.

Oficeri do të dëshmojë se fillimisht kishte ngritur shqetësime pas një takimi më herët mes ambasadorit amerikan në BE, Gordon Sondland kishte theksuar që Ukraina duhet të hetojë zgjedhjet e 2016-ës dhe kompaninë Burisma, me të cilën kishte lidhja familja kandidatit demokrat për president, Joe Biden.

Në dëshminë e tij, zoti zoti Vindman shkruan se i kishte thënë Ambasadorit Sondland se kërkesa për të hetuar zotin Biden dhe të birin nuk kishte aspak të bënte me sigurinë kombëtare dhe se Këshilli për Sigurinë Kombëtare nuk do të merrej me çështje të tilla.

Këto deklarata bien ndesh me dëshminë e zotit Sondland, i cili tha para ligjvënësve se “askush nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk ngriti shqetësime”.

Kolonel Lejtnanti thotë se edhe për telefonatën e presidentit foli me konsulentin ligjor të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të shprehur shqetësime për bisedën.

“E dija se nëse Ukraina hetonte zotin Biden dhe të birin si dhe kompaninë Burisma, mund të interpretohej si manovër partiake dhe pa dyshim do të sillte si rezulat humbjen e mbështetjes dypartiake për Ukrainën. Kjo do të minonte interesat e sigurisë kombëtare për Amerikën”.

Para fillimit të seancës, ligjvënësi republikan Jim Jordan theksoi argumentet që kanë ngritur shumë republikanë se komunikimi mes dy presidentëve nuk përbën shkelje të rregulloreve apo abuzim pushteti:

“Njerëzit thonë se sot për herë të parë do të dëgjojmë dëshminë e dikujt që ishte i pranishëm gjatë telefonatës. Kjo s’është e vërtetë. Ky është personi i tretë. Deri tani kemi dëgjuar komentet e Presidentit Trump dhe Presidentit Zelenskiy. Faktet themelore nuk kanë ndryshuar ndonjëherë. Kemi dëgjuar opinione të ndryshme por faktet mbeten ato. Nuk ka pasur presion, nuk ka pasur kërkesë për shkëmbim favoresh. Kemi dëgjuar Presidentin Trump dhe Presidentin Zelenskiy se nuk ka pasur imponim, nuk janë vënë kushte”.

Zoti Vindman është një ndër dëshmitarët më të rëndësishëm. Ai shkruan se është patriot dhe në veprimet e tij është nxitur nga ndjenja e përgjegjësisë për të mbrojtur vendin, jashtë interesave partiake.

Dëshmia e tij pason njoftimin dje të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi se të enjten e gjithë Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë mbi një rezolutë për të afirmuar hetimet që mund të çojnë në procesin për shkarkimin e mundshëm të presidentit. Rezoluta gjithashtu specifikon rregulloret për seancat publike me dëshmi si dhe shpjegon procesin për hartimin e akuzave për procesin e shkarkimit të mundshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG