Lidhje

Historia e Odesës


Dhuna mes grupeve që mbështesin Kievin dhe atyre proruse la mbi 40 të vrarë javën e kaluar në Odesë dhe tronditi gjithë Ukrainën dhe më gjerë. Qyteti, i themeluar nga Katerina e Madhe në vitin 1794, ka qenë prej kohësh një port kozmopolit, që ka tërhequr turistë dhe tregtarë nga e gjithë bota.

Për shumë ukrainas, Odesa është një qytet që ngjall imazhe romantike: një ndërthurje kulturash që bashkëjetojnë mes bulevardeve të mëdha perandorake në këtë port të bukur të Detit të Zi.

Dhe për këtë arsye, thonë banorët, dhuna e 2 majit shkaktoi një plagë të madhe për qytetin dhe vendin.

Mbi 40 vetë vdiqën, kur grupe rivale u përleshën nëpër rrugë, duke kulmuar me një zjarr që përfshiu një ndërtesë të sindikatës, duke vrarë dhjetëra demonstrues prorusë.

"Ne thjesht duam paqe. Duam vetëm të jetojmë të qetë, si më parë, kur mund të ecnim në rrugë me fëmijët tanë, që ishin të lumtur," thotë një banore.

Odesa u bë qyteti i katërt më i madh i Rusisë cariste. Orysia Lutsevych është analiste politike e institutit Chatham House me qendër në Londër.

"Në atë kohë Odesa ishte gjithmonë një qytet portesh, tregtie, por edhe një qytet me vendpushime bregdetare."

Odesa ishte vendi i një kryengritjeje të punëtorëve vitin 1905, e treguar në filmin e propagandës sovjetike, Luftanija Potemkin. Imazhi i një karroce me një fëmijë që zbret shkallët e mëdha në port ndërsa turma vrapon prej ushtarëve perandorakë është një nga skenat më të famshme në historinë e filmave.

Forcat e historisë së shekullit të 20-të janë ende duke u ndjerë, pasi e ardhmja e Odesës është edhe një herë e pasigurt.

"Jetojmë në qytetin Odesa, që ka një histori ruse, por kjo nuk do të thotë se Odesa është Rusi. Është thjesht një qytet në Ukrainë, ku njerëzit flasin rusisht."

Banorët mbeten krenarë për trashëgiminë e tyre kulturore. Alexander Roytburd, një piktor i famshëm lokal, thotë se Odesa i takon botës.

"Qyteti i Odesës është ndërtuar si një projekt. Ai është ndërtuar shpejt dhe nëpërmjet një organizimi efikas. Siç thuhet, ky qytet iu dha të huajve që të bënin tregti dhe biznes me botën."

Odesa vazhdon ta luajë atë rol. Qyteti mbetet një "port i lirë", ku tregtarët janë në gjendje të transportojnë mallra lirisht në të gjithë globin, dhe përmban një terminal të madh nafte.
Kievi shqetësohet se Rusia mund të përsërisë veprimet që ndërmori në Krime, duke aneksuar gjithë bregdetin e Detit të Zi dhe duke e lënë Ukrainën pa dalje në det. Moska mohon të ketë qëllime të tilla, por Odesa ka rëndësi të madhe strategjike, thotë Orysia Lutsevych.

"Jo vetëm për tregti, por edhe duke përdorur portin e Odesës për transportime ushtarake. Për nga rëndësia strategjike dhe e sigurisë, tani që autoritetet e Kievit nuk janë miqësore me Rusinë, Kremlini mendon se duhet të kontrollojë korridorin e jugut, për të ofruar gjithashtu mbështetje për rajonin autonom të Moldavisë, Transnistria."

Tensionet që kanë përfshirë tashmë Ukrainën janë një kërcënim për qytetin e Odesës, që konsiderohet si një nga perlat e Evropës Lindore.

XS
SM
MD
LG