Lidhje

Historia e inagurimeve dhe sfidat e Donald Trumpit


Donald Trump do të bëhet presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara në 20 janar, pas betimit në shkallët e Kapitolit, përballë miliona njerëzve që do ta ndjekin në mbarë botën. Historikisht, inagurimet e presidentëve kanë simbolizuar një transferim paqësor të pushtetit dhe shpesh kanë reflektuar ndryshime politike.

Është një ritual i demokracisë amerikane, po aq i vjetër sa vetë republika. Inagurimi i një presidenti të ri, shënon fundin e një periudhe dhe fillimin e një tjetre, në kohë të mira e të këqija.

Në vitin 1933, Franklin Roosevelt bëri betimin në kulmin e depresionit të madh:

Para së gjithash, më lejoni të pohoj me bindje të thellë se gjëja e vetme së cilës duhet t’i druhemi është vetë frika”.

Në vitin 1961 John Kennedy frymëzoi një brez të ri amerikanësh me një thirrje për t’i shërbyer vendit:

Kështu pra miqtë e mi amerikanë, mos pyesni se çfarë mund të bëjë vendi për ju, por çfarë ju mund të bëni për vendin”.

20 vite më vonë, republikani Ronald Reagan erdhi në pushtet me premtimin për një qeveri më të vogël.

Në këtë krizë, qeveria nuk është zgjidhja për problemet tona, qeveria është problemi”.

Pas fitores së tij në nëntor, presidenti i zgjedhur Donald Trump zhvilloi një tur falenderimesh për ata që e votuan dhe u zotua se do të mbajë premtimet e fushatës:

Ky është një moment emocionues për t’u jetuar; skenari ende nuk është shkruar. Nuk e dimë ende cilën faqe do të lexojmë nesër. Por për herë të parë pas një kohe të gjatë ajo që dimë është se faqet do të shkruhen nga secili prej jush. Kjo është një lëvizje”, - tha Trump.

Pas fitores së zotit Trump vendi mbetet i ndarë dhe një nga sfidat kryesore të presidentit të ri është bashkimi i vendit, thotë analisti John Fortier:

Mendoj se është një mundësi e madhe, është hapi i parë për t’i folur me të vërtetë vendit, për t’i thënë si president se disa nga mospajtimet që patëm gjatë fushatës ndoshta janë tejkaluar”.

Historikisht inagurimet e presidentëve janë shdërruar në momente ku tensioni i fushatës zgjedhore është lënë mënjanë, në funksion të një fryme që mbështet vazhdimësinë dhe demokracinë, thotë John Hudak:

“Presidenti Obama do të jetë në një makinë me presidentin e zgjedhur Trump, prej Shtëpisë së Bardhë në Kapitol, do të dorëzojë pushtetin në paqe dhe do të shohë pasuesin tij, ndoshta jo atë që donte, por megjithatë pasuesin e tij, të betohet. Kjo nuk ndodh gjithkund në botë dhe kjo është shumë e rëndësishme në këtë vend”.

Zoti Trump njihet për stilin e tij të fjalimeve të improvizuara në fushatë. Por çfarë do të ndodhë me fjalimin e inagurimit? Nuk mund të parashikohet, thotë analisti Norm Ornstein:

Fjalimi i inagurimit hartohet dhe shkruhet përpara dhe presidentët lexojnë gjatë ceremonisë. A do të shkëputet Donald Trumpi nga ajo që është shkruar dhe të mbajë një fjalim të vetin? Kjo nuk dihet!

Donald Trump do të jetë presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara dhe toni që ai do të vendosë në fillim të mandatit të tij, do të jetë treguesi për llojin e udhëheqësit që aspiron të jetë.

XS
SM
MD
LG