Lidhje

Holl: Universiteti Amerikan në Kosovë ka përparësi cilësinë


Holl: Universiteti Amerikan në Kosovë ka përparësi cilësinë
Holl: Universiteti Amerikan në Kosovë ka përparësi cilësinë

Kris Holl, President i Universitetit Amerikan në Kosovë thotë se strategjia e institucionit të tij për të konkurruar me sukses është rritja e cilësisë. Universiteti Amerikan në Kosovë është jo fitimprurës dhe sipas zotit Hall, nëse universitetet private që punojnë me fitim nuk ofrojnë shërbime cilësore, tregu do ta refuzojë këtë zgjidhje.

Zëri i Amerikës: Zoti Hall, janë mbushur 8 vite që nga themelimi i Universitetit Amerikan në Kosovë, cilat janë disa nga sfidat dhe zhvillimet që ka kaluar institucioni juaj?

Chris Hall: Ne kemi bërë përparim të vazhdueshëm gjatë këtyre viteve. Në fillim kishim vetëm 60 studentë të regjistruar, kurse tani kemi mbi 600 që studiojnë në Universitetin Amerikan në Kosovë. Kemi edhe një numër punonjësish civilë të cilët janë regjistruar në programin tonë të masterit në degën e Administratës Publike. Por, programi ynë kryesor është edukimi universitar që organizohet në bashkëpunim me Institutin Teknologjik të Roçesterit në Nju Jork. Kështu që studentët tanë marrin një arsimim amerikan. Fakti që mësimi zhvillohet në gjuhën angleze na lejon të tërheqim studentë jo vetëm nga Kosova, jo vetëm nga shumica e komunitetit shqiptar. Ne kemi studentë nga 22 vende të botës dhe nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Çfarë elemente të tjera e dallojnë institucionin tuaj nga universitetet publike dhe private në Kosovë dhe universitetet e tjera amerikane në Evropën Juglindore?

Chris Hall: Mendoj se kjo është një pyetje e rëndësishme sepse shumica e njerëzve në Evropë nuk kanë njohuri për konceptin e universiteteve private jo fitimprurëse. Evropianët nuk e kuptojnë se unversitetet e njohura amerikane si Harvardi, Yale apo Instituti Teknologjik i Roçesterit janë fondacione jo fitimprurëse, të cilat në Evropë quhen organizata jo-qeveritare. Mendoj se vetëm Turqia e ka atë traditë të universiteteve private jo fitimprurëse. Ne dallojmë nga universitetet e tjera në rajon për faktin se jemi institucion privat jo fitimprurës dhe të pavarur nga qeveria. Diplomat që studentët tanë marrin janë diploma amerikane të Institutit Teknologjik të Roçesterit. Falë këtij Instituti, studentët në Universitetin Amerikan në Kosovë paguajnë çerekun e asaj që paguajnë ata që studiojnë në Institutin Teknologjik të Roçesterit në Roçester të Nju Jorkut. Për familjet në Kosovë kostoja është e lartë. Por, vlera e këtij arsimimi qëndron në atë se pas diplomimit në universitetin tonë studentët gjejnë punë të mirë. Natyrisht, shkalla e papunësisë në rajon është e lartë. Por ka mungesë të njerëzve me arsimim të cilësisë së lartë, etikë të mirë të punës, dhe njohje të mire të gjuhës angleze. Pra, studentët tanë, nëse nuk vazhdojnë studimet pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara, ata punësohen në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Për shkak të historisë së saj, në Kosovë sistemi i arsimit të lartë përballet me vështirësi dhe sfida. Si mendoni se Kosova mund t’i tejkalojë këtë sfida? A jeni të kënaqur me nivelin e arsimimit të lartë në Kosovë?

Chris Hall: Një problem i madh nga pikëpamja jonë është mungesa e mësuesve të gjuhës angleze në shkolla. Një mësues i anglishtes që merr 300 euro në muaj në arsimin publik, mund të paguhet tre here më shumë nëse punon për një organizatë të huaj. Ne nuk konkurrojmë me universitetet publike në Kosovë. Pjesë e përgjegjësisë sime është mbështetja e universitetit shtetëror aty ku mundem. Nuk është detyra ime t’i kritikoj ata. E respektoj faktin që ata përballen me sfida të mëdha. Universitetet publike në Kosovë përballen me mungesë të burimeve financiare ashtu si universitetet tjera në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Dua të them se jam shumë skeptik ndaj universiteteve private fitimprurëse në Kosovë. Do të desha të shoh më shumë konkurrencë nga institucionet legjitime të arsimit të lartë dhe jam i sigurt se kjo do të ndodhë. Strategjia jonë për një konkurrencë të tillë është rritja e cilësisë. Ne kemi bërë marrëveshje partneriteti me Kolegjin amerikan Dartmouth, me universitetin e njohur francez Sians Po ku janë arsimuar presidenti Nikolas Sarkozi dhe ish presidenti Zhak Shirak. Ky universitet francez na ka zgjedhur ne si partner në Evropën Juglindore për të dërguar njerëzit e tyre të cilët studiojnë rajonin në Universitetin Amerikan në Kosovë. Pra tani ne kemi krijuar një emër të mirë për arsimin e lartë që i kalon kufijtë e Kosovës. Mendoj se këto partneritete janë të dobishme për Kosovën sepse studentët kosovarë mund të udhëtojnë jashtë vendit. Ata do të kenë rastin të studiojnë së bashku me studentët e tjerë evropianë dhe mund të bëhen pjesë e një rrjeti të gjerë të studentëve të rinj.

Zëri i Amerikës: Pavarësisht nga hapja e universiteteve private përfshirë Universitetin Amerikan në Kosovë dhe kolegjeve tjera private, një numër i madh i nxënësve të shkollave të mesme nuk arrinë të regjistrohen në universitet për shkak të vendeve të kufizuara? Cili është mendimi juaj?

Chris Hall: Ky nuk është vetëm problem i Kosovës. I njëjti problem ekziston edhe në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Universitetet private fitimprurëse mund të luajnë rol për të përmbushur nevojat e tregut. Por nëse ato nuk ofrojnë shërbime cilësore, tregu do ta refuzojë këtë lloj zgjidhjeje. Mendoj se njerëzit janë bërë më të sofistikuar në kuptimin e vlerës relative të një diplome universiteti. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, njerëzit bënin gjithçka ishte e mundur dhe paguanin për të marrë çfarëdo diplome. Tani punëdhënësit kanë filluar ta kuptojnë se disa diploma nuk janë ekuivalente me diplomat e institucioneve të tjera.

Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj, a është i mjafueshëm angazhimi i qeverisë së Kosovës për të zhvilluar arsimin?

Chris Hall: Mendoj se dy ministrat e arsimit me të cilët kam punuar, Enver Hoxhaj dhe Ramë Buja, kanë ndërmarrë nisma të mira për zgjërimin e arsimit të lartë. Për shembull, hapja e universitetit të ri shtetëror në Prizren. Si në çdo fushë tjetër në Kosovë, si ndërtimi i rrugëve apo i spitaleve, problemi me arsimin është thjesht mungesa e burimeve. Nuk bëhet fjalë vetëm për burime financiare për ndërtimin e ndërtesave por edhe për gjetjen e mësuesve, përdorimin e programeve moderne dhe të teknologjisë. Lajmi i mirë është se qeveria është duke punuar për zbatimin e ndryshimeve të nevojshme. Por kjo do të kërkojë kohë.

Zëri i Amerikës: Zoti Hall, institucioni juaj ka organizuar debate dhe diskutime politike rreth së ardhmes së Kosovës përfshirë problemet në veri. Sipas mendimit tuaj, cila është zgjidhja më e mirë për këtë problem?

Chris Hall: Po është e vërtetë që ne organizojmë debate, konferenca, seminare të cilat trajtojnë problemet politike në Kosovë. Nuk është detyra ime t’i them qeverisë së Kosovës se si duhet të qeverisë. Është detyra jonë të organizojmë forume në mënyrë që njerëzit të debatojnë dhe ndoshta disa zgjidhje mund të dalin nga këto debate. Unë mund të jap mendimin tim personal ne lidhje me çështjen e veriut. Mendoj se është absolutisht kritike që të kontrollohen kufijtë që të mos përdoret veriu si bazë për trafikime të paligjshme. Ata që vërtet po shkaktojnë probleme për komunitetin serb dhe për të gjitha komunitetet atje janë grupet kriminale të cilat përfitojnë nga mungesa e kontrollit të kufirit. Nëse KFOR-i dhe qeveria e Kosovës marrin nën kontroll kufirin, shumica e kriminelëve do të largohen. Kriminelët shkojnë aty ku është e lehtë për bërë biznes kriminal. Kur ata të largohen nga veriu, gjërat do të përmirësohen më shpejt.

Zëri i Amerikës: Sa studentë të pakicës serbe dhe pakicave tjera janë të regjistruar në Universitetin Amerikan? A ka interesim nga ana e pakicave për t’u regjistruar në institucionit tuaj?

Chris Hall: Tani kemi 12 studentë të pakicës serbe që janë të regjistruar në universitetin tonë dhe një numër i njëjtë i studentëve nga pakicat boshnjake, rome dhe turke. Ne kemi vërejtur një interest të madh nga studentët e pakicës serbe në mbarë Kosovën që duan të regjistrohen në universitetin tonë. Fatkeqësisht një numër i studentëve serbë në veri të cilët duan të regjistrohen ose shprehin interes për t’u regjistruar shkurajohen nga institucionet paralele dhe grupet kriminale atje. Ne e dimë që në veri ka të rinj të cilët duan të studiojnë në Universitetin Amerikan. Në pjesën tjetër të Kosovës, ata na shohin si një institucion neutral sa i përket grupeve etnike. Në pesë vitet e fundit, ne kemi patur studentë serbë dhe kemi patur vetëm dy incidente të vogla ku është folur keq kundër studentëve serbë. Dhe në përgjithësi shumica e studentëve tanë shqiptarë janë shumë mikpritës ndaj atyre sërbë. Nuk do të thotë se nuk duhet guxim për një 18 vjeçar serb të regjistrohet në një universitet me shumicë shqiptare. Studentëve serbë u duhen një deri në tre muaj që të ambientohen dhe të krijojnë miqësi me të tjerët. Pas gjashtë muajsh ata ndihen të sigurt dhe shkojnë nëpër restorante dhe klube në Prishtinë së bashku me kolegët e tyre shqiptarë.

XS
SM
MD
LG