Lidhje

Hong Kong, përplasje me policinë në ditën e Krishtlindjes


Policia duke arrestuar një protestues në Hong Kong, 25 dhjetor 2019

Festimet e Krishtlindjes u shndërruan në tension në Hong Kong gjatë orëve të vona të së mërkurës. Policia hodhi gaz lotsjellës dhe spërkati me materiale djegëse protestuesit anti-qeveritarë, si dhe bëri disa arrestime pas gati dy ditësh përballjesh të dhunshme.

Përplasja më e fundit erdhi ndërsa udhëheqësja gjysëm-autonome, e emëruar nga Pekini, Carrie Lam, dënoi ata që i quajti “shkaktarë të papërgjegjshëm trazirash” që prishën festimet. Udhëheqësja e Hong Kongut tha se qeveria “do të sigurohet që ata që shkelin ligjin, do të vuajnë pasojat”.

Përplasjet ndodhën ndërsa aktivistët u mblodhën në protesta spontane në qendra tregtare në mbarë Hong Kongun në Ditën e Krishtlindjes. Policia gjithashtu ndaloi dhe u bëri inspektim trupor shumë të rinjve të veshur me rroba të zeza, që janë shndërruar në kodin e veshjes se aktivistëve të përfshirë në lëvizjen anti-qeveritare që kur ajo filloi në muajin qershor.

Në zonën tregtare Mongkok, të ndodhur në qendër të qytetit, policët me mburoja shkëmbyen ofendime me protestuesit, blerësit dhe kalimtarët dhe në vazhdim hodhën në drejtim të tyre disa herë gaz lotsjellës, përpara se të bënin arrestime. Oficerët e policisë u dëgjuan që ofendonin protestuesit, duke i quajtur “plehra”. Nuk është e qartë nëse policia u provokua.

Njerëz të shumtë ishin mbledhur në rrugët pranë kësaj zone, disa duke valëvitur flamurin amerikan dhe flamurin e Hong Kongut të pavarur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG