Lidhje

Hooper: Lufta politike në Kosovë të mos dalë jashtë kontrollit


VOA: Në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare u vlerësuan pozitivisht për mënyrën si u zhvilluan. A rrezikon ky imazh pozitiv të dëmtohet nga mosmarrëveshjet që filluan menjëherë pas daljes së rezultatit paraprak, se kush duhet ta formojë qeverinë e ardhshme?
James Hooper
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:09:32 0:00

J. HOOPER: Në radhë të parë dua të përgëzoj popullin dhe autoritetet e Kosovës që organizuan zgjedhje që u vlerësuan si të lira e të drejta. Kritikat ishin të pakta dhe zgjedhjet u cilësuan si një hap i madh përpara. E papritura e këtyre zgjedhjeve ishte formimi i menjëhershëm i një koalicioni. Tani duhet të respektohen dispozitat e kushtetutës. Nuk u pa ndonjë ndërhyrje nga diplomatë amerikanë ose të huaj tjerë, nuk pati manovra politike pas skene për qeverinë, gjithshka u bë nga vetë shqiptarët. Një e veçantë tjetër është se Vetvendosja doli mirë dhe duket se nuk do të jetë pjesë e qeverisë, por do ta mbështesë atë. Unë nuk e prisja që Vetvendosja të luante një rol të tillë.

VOA: Kolaicioni u krijua që të nesërmen dhe kryeministri Thaçi u kundërpërgjigj se i takon atij e drejta për të formuar qeverinë e re. A pritet që kjo situatë të acarohet më tej?

J. HOOPER: Përshkallëzimi i retorikës dhe një lloj tensioni është më se normal, përsa kohë nuk del jashtë kontrollit. Unë nuk jam ekspert i Kushtetutës për zgjedhjet, por ajo duhet të respektohet, përndryshe Kosova rrezikon të humbasë gjithë vlerësimin pozitiv për fushatën e lirë dhe të drejtë të zgjedhjeve. Presidentja duhet të ushtrojë autoritetin e saj dhe t’i japë të drejtën e formimit të qeverisë palës që i takon me kushtetutë dhe në se ka nevojë për këshillën e Gjykatës Kushtetuese, atëhere duhet t’i drejtohet asaj. Unë mendoj se kjo është një ditë e re për Kosovën, është shumë pozitive dhe do ta përmirësojë imazhin e saj, përsa kohë që tensionet dhe lufta politike se kush do ta marrë mandatin nuk del jashtë kontrollit.

VOA: Komuniteti ndërkombëtar, në të kaluarën e ka ndihmuar më se njëherë klasën politike të Kosovës për formimin e koalicioneve qeverisëse. A mendoni se ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar të ketë një rol më pasiv dhe t’i lërë, në një farë mënyre, politikanët vendas të mësojnë nga gabimet e tyre?

J. HOOPER: Kosovarët janë të aftë vetë dhe nuk kanë nevojë të mëtejshme për një ndihmë të tillë. Demokracia atje është më e pjekur. Mënyra si u zhvillua fushata zgjedhore dhe shpejtësia me të cilën u formua koalicioni, flet për një nivel pjekurie demokratike që është mbresëlënës. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet t’i lënë udhëheqësit e Kosovës të vendosin dhe ta drejtojnë vetë procesin.

VOA: Pak përpara zgjedhjeve, udhëheqësit e Kosovës, ndonëse me hezitim, miratuan ligjin për krijimin e Gjykatës së Posaçme për të hetuar rreth akuzave për krime lufte. A mendoni se kjo gjykatë do ta trondisë skenën politike të Kosovës kur të fillojnë hetimet?

J. HOOPER: Përsa kohë kosovarët respektojnë përfundimet e hetimeve dhe ata që paditen të shkojnë para gjykatës, nuk mendoj se domosdoshmërisht do të tronditet vendi. Rreziku do të lindë, në se ndonjë figurë politike e akuzar, do të përpiqet të mbrohet me flamurin e patriotizmit dhe t’i shmanget gjykatës. Unë nuk do të kisha preferuar këtë formë, por ai që akuzohet, duhet të jetë i përgatitur të përballojë shijen e hidhur dhe të shkojë para gjykatës për t’iu nënshtruar procesit. Kosova është një vend i vogël, që varet nga marrëdhëniet e mira me komunitetin ndërkombëtar dhe nuk mund të rrezikojë t’i prishë ato duke i rezistuar kësaj nisme të komunitetit ndërkombëtar. Nga ana tjetër kryeprokurori amerikan John Clint Williamson është një njeri me integritet të lartë, shumë serioz, i pakorruptueshëm, që nuk do akuzojë individë për të cilët hetimet e gjata të kryesura prej tij nuk kanë nxjerrë prova të mjaftueshme.

VOA: Gjatë vitit të fundit kemi parë bisedime intensive mes Prishtinës dhe Beogradit, Serbia ndërkohë ka filluar negociatat e anëtarësimit me BE-në, a prisni që kjo klimë e re marrëdhëniesh mes Kosovës dhe Serbisë, të shërbejë si nxitje, që pavarësia e Kosovës të njihet edhe nga 5 vendet e tjera të BE-së?

J. HOOPER: Mundet, pasi ky është një ndryshim i rëndësishëm. Por këtu qëndron edhe rreziku më i madh i këtyre zgjedhjeve. Sfida më e madhe për koalicionin, në se ata do ta formonin qeverinë e ardhshme, është se Kosova është një vend i vogël, pa pasuri të shumta, pa fusha nafte, apo miniera ari dhe që varet nga marrëdhëniet e mira me komunitetin ndërkombëtar. Ajo duhet të mendojë në këtë formë, në nivel ndërkombëtar, në se udhëheqja e ardhshme përqëndrohet në nivel provincial, si një vend i vogël, ata do të rrezikojnë të humbasin mbështetjen dhe të mos sigurojnë njohjet që dëshirojnë në botë, të mos hyjnë dot në OKB-së apo BE. Kryeministri Thaçi ka disa anë të forta, ai nuk mendon lokalisht, ai e kupton si funksionion udhëheqja, si funksionon komuniteti ndërkombëtar dhe ai bashkëpunon me të në këtë nivel të gjerë. Në se koalicioni do të formojë qeverinë e ardhshme, ai duhet të lëvizë me shpejtësi dhe të krijojë imazhin që di të merret me problemet në nivel ndërkombëtar. Unë jam për shembull i shqetësuar, nga këmbëngulja e vazhdueshme e Albin Kurtit për ndërprerjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë si një kusht për mbështetjen e qeverisë së re. Ky do të ishte një gabim shumë i madh. Kosova dhe Serbia jetojnë pranë njera tjetrës dhe duhet të kenë marrëdhënie sa më konstruktive, që të jetë e mundur. Dialogu duhet ushqyer e forcuar që situata të mos përkeqësohet. Pra cilado qoftë forca që do të qeverisë Kosovën duhet ta çojë dialogun përpara.

Në se mundem të them edhe një mendim tjetër. Nuk e di se ç’do të ndodhë me qeverinë e re, por në se zoti Thaçi do të zëvendësohej nga koalicioni, nuk është herët për të, që të fillojë të mendojë për trashëgiminë e tij. Ai duhet të hedhë një hap pas dhe të mendojë se sa ka bërë për vendin, para lufte, gjatë negociatave, dhe më pas, për të siguruar pavarësinë. Pas lufte ai nuk u zgjodh kryeministër, siç prritej, dhe doli në opozitë. Ajo që mësoi ishte disiplina e të qënit në opozitë, ai mësoi si të ishte udhëheqësi i një partie në opozitë dhe si të luajë rolin e një opozite besnike, kjo ndikoi mbi të dhe ai doli prej saj si një politikan më i mirë, më i pjekur, dhe një udhëheqës më i mirë. Duhet mësuar nga mënyra si ai është sjellë me komunitetin ndërkombëtar. Nuk është e lehtë të merresh me Shtetet e Bashkuara, nuk është e lehtë të merresh me shtetet evropiane, është një veprimtari e përhershme manovrimesh dhe balancash dhe kushdo që do të vijë në pushtet, kushdo që do ta zëvendësojë, në se do të zëvendësohet, do ta provojë se sa e vështirë është kjo.

VOA: Kohët e fundit ju jeni përfshirë me konfliktin në Siri. Sipas njoftimeve të shtypit, në Siri ka një numër personash me kombësi shqiptare që luftojnë përkrahë forcave ekstremiste. A ka vend për shqetësim?

J. HOOPER: Po, ka vend për shqetësim, si për Kosovën, për Shqipërinë apo Maqedoninë. Nuk e di konkretisht nga janë ata, besoj se shumica janë nga Shqipëria, por rreth 30 – 40 janë nga Kosova. Ata nuk përbëjnë ndonjë rrezik për Sirinë dhe nuk kanë ndonjë ndikim për rezultatin e luftës atje, por rreziku është kur të kthehen në vendin e tyre, pasi do të jenë të radikalizuar, do të jenë njohës të mirë të armëve. Në të kaluarën nuk ka patur terrorizëm të brendshëm në Kosovë dhe në se një terrorizëm i tillë i brendshëm, do të lindte tani, ai do të minonte emrin e mirë dhe përparimin e Kosovës.

VOA: Gjatë luftës në Kosovë ju keni punuar nga afër me lëvizjen e rezistencës atje, dhe sot ju po punoni me opozitën siriane. A shihni paralelizma?

J. HOOPER: Opozita siriane, të moderuarit, po shqyrtojnë mundësi si të krijojnë sisteme paralele në disa qytete, si për shembull në arsim. Kosova e ka bërë këtë. Ka një numër personash në Kosovë që dinë si të ngresh një sektor paralel arsimor ose shëndetësor dhe opozita e moderuar siriane, jo xhihadistët, mund të mësojnë nga Kosova. Shpresoj të gjenden forma për t’i vendosur këto lidhje. Do të ishte shumë përfituese në se Kosova do t’ia kalonte këtë njohuri opozitës siriane, në vend të eksportimit të terroristëve të mundshëm. Ka shumë mësime që mund t’u shërbejnë të tjerëve nga përvoja e Kosovës.
XS
SM
MD
LG