Lidhje

Hungaria përpiqet të kontrollojë refugjatët protestues


Policia hungareze përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion ndaj emigrantëve që protestonin duke kërkuar që të lejoheshin të hynin nga Serbia. Ndërkohë, numri i emigrantëve që kaluan dje ilegalisht në Hungari ra ndjeshëm dhe njoftohet se një pjesë fare e vogël hyri në Hungari nga Serbia.

Qindra policë, të mbështetur nga njësitë speciale anti-terroriste me automjete të blinduara dhe topa uji, iu afruan një grupi emigrantësh në pikëkalimin kufitar Röszke.

Emigrantët ndodheshin në anën tjetër të një gardhi metalik të ndërtuar nga qeveria e djathtë hungareze për të mos lejuar kalimin e tyre, në bazë të masave të reja që hynë në fuqi të martën.

Policia publikoi një deklaratë që akuzonte emigrantët se përpiqen në mënyrë agresive të kalojnë gardhin me tela. Një zyrtar i Kombeve të Bashkuara në vendin e ngjarjes tha se emigrantët nuk duket se kanë e shkelur barrierën kufitare.

Dje, zyrtarët hungarezë mbyllën dy pikëkalime kufitare për shkak të kontrolleve sipas tyre të pamjaftueshme në anën serbe. Hungaria gjithashtu shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në dy distrikte jugore.

Qindra emigrantë u grumbulluan pranë barrierave të reja, duke kërkuar të lejoheshin të kalonin.

"Ata po na propozojnë një alternativë tjetër dhe na thonë të shkojmë në një pikë tjetër të kufirit serb. Ne nuk i besojmë askujt dhe do të qëndrojmë këtu deri sa ky kufi të hapet," shprehet ky refugjat.

Qeveria hungareze tha sot se ishin ndaluar vetëm 366 persona që nga dita e djeshme, kur filloi zbatimi i ligjeve të rrepta, të cilat ndëshkojnë ata që hyjnë në vend ilegalisht. Policia tha se të hënën në Hungari kaloi një numër rekord prej 9,380 emigrantësh.

Ndërkohë, vala e refugjatëve mund të jetë kthyer drejt jugut. Disa dhjetra u panë të hynin dje në Kroaci nga Serbia. Po ashtu, të tjerë u drejtuan me autobusë për në Preshevë.

Në një takim në Shtëpinë e Bardhë me mbretin e Spanjës Felipe, Presidenti Barack Obama tha se e tërë bota duhet të kontribuojë për të ndihmuar emigrantët.

"Ne ramë dakord se kjo do të kërkojë bashkëpunim me të gjitha vendet evropiane, me Shtetet e Bashkuara dhe me komunitetin ndërkombëtar për të garantuar sigurinë e njerëzve dhe trajtimin e tyre me humanizëm dhe se në fund të fundit ne duhet të zgjidhim burimin e problemit, që është vazhdimi i krizës në Siri."

Në Berlin, kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje për një takim të posaçëm të nivelit të lartë për të zgjidhur krizën dhe kërkoi solidaritetin evropian. Ajo ka thënë se Gjermania është e gatshme të marrë 800 mijë emigrantë këtë vit.

Por disa udhëheqës evropianë fajësojnë Gjermaninë për mikpritjen e hapur ndaj emigrantëve që përpiqen t’i largohen luftës dhe terrorit në Siri dhe vende të tjera. Gjermania po shpreh gjithnjë e më shumë nervozizëm me disa vende anëtare të BE-së që nuk janë të gatshme për të ndarë barrën.

Më shumë se 430 mijë emigrantë që kërkojnë një jetë më të mirë, duke përfshirë refugjatë nga Siria dhe Iraku, kanë vërshuar në Evropë këtë vit. Ekspertët e emigracionit thonë se rreth 3 mijë prej tyre kanë gjetur vdekjen.

XS
SM
MD
LG