Lidhje

I vëllai i kryeministrit britanik njofton dorëheqjen


Jo Johnson

Kryeministri britanik Boris Johnson pësoi një goditje tjetër të enjten kur vëllai i tij njoftoi dorëheqjen e tij si ministër dhe anëtar i parlamentit.

Jo Johnson tha në Twitter se dorëheqjet e tij kishin të bënim me konfliktin mes lidhjeve familjare dhe shërbimin ndaj Britanisë.

"Në javët e fundit, jam gjetur në mes të besnikërisë ndaj familjes dhe interesit kombëtar - është një tension i papërballueshëm dhe ka ardhur koha për të tjerët që të marrin rolet e mia si deputet dhe Ministër," tha ai.

Dorëheqja e tij pason përjashtimin nga vëllai i tij të 21 ligjvënësve nga Partia Konservatore, e cila mbetet e përçarë në lidhje me strategjinë e kryeministrit për t'u tërhequr nga Bashkimi Evropian më 31 tetor me ose pa një marrëveshje.

Boris Johnson pësoi një tjetër disfatë të mërkurën kur Dhoma e Komuneve votoi në favor të një mase që detyronte qeverinë të kërkonte nga BE-ja që të shtyjë Brexitin për tre muaj të tjerë nëse zoti Johnson nuk arrin marrëveshje për daljen deri në afatin e 31 tetorit.

Kjo ishte humbja e tretë madhore e zotit Johnson lidhur me Brexit-in brenda dy ditësh.

Ndërkohë, Kryeministri britanik u takua të enjten Londër me nënpresidentin amerikan Mike Pence. Gjatë një vizite në Dublin të martën me kryeministrin irlandez Leo Varadkar, zoti Pence tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin vendimin e Britanisë për t'u larguar nga BE-ja dhe u bëri thirrje vendeve të tjera anëtare të "negociojnë në mirëbesim" me Britaninë.

Të mërkurën, Presidenti amerikan Donald Trump shprehu besim te zoti Johnson, duke thënë "ai di si të fitojë". Ai shtoi, "Mos u shqetësoni për të. Ai do të jetë në rregull."

Ekonomistët britanikë thonë se largimi nga BE-ja pa marrëveshje do të shkatërronte ekonominë britanike dhe ndoshta do të sillte recesion.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG