Lidhje

Ndikimi i iboprofenit tek jetëgjatësia


500 vjet më parë, eksploruesi spanjoll Poncé de León mbërriti në Florida. Disa thonë se ai po përpiqej të zbulonte burimin e rinisë së përjetshme. Në ditët tona, studiuesit kanë zbuluar se një ndër ilaçet më të përhapura mund të ndihmojë për të zgjatur jetën e njeriut.

Ibuprofeni ka qenë në përdorim që në vitet 1960. Ai përdoret për të ulur dhimbjet, temperaturën dhe ënjtjet.

Në eksperimente me organizma të thjeshtë, si krimbat apo mizën e uthullës, biokimisti Michael Polymenis dhe kolegët e tij zbuluan se ibuprofeni ua zgjaste jetën 10-15% këtyre specieve.

“Mund të mos duket si një ndryshim i madh, por për njeriun kjo do të nënkuptonte 8 vjet të tjera jetë të shëndetshme, pra nuk është diçka e papërfillshme”.

Studiuesi Polymenis thotë se jo vetëm që u zbulua se ibuprofeni sillte zgjatje jete të këtyre specieve, por edhe një jetë më të shëndetshme.

"Të paktën në rastin e krimbave, vërejtëm se ata bënin jetë më të shëndetshme. Si rezultat i këtij ilaçi ata ishin në gjendje të lëviznin më shpejt dhe më mirë. Nuk kemi vërejtur efekte të tjera anësore, pra rezultantja ishte përgjithësisht pozitive”.

Megjithatë, zoti Polymenis thotë se është ende herët të mendohet se çdokush duhet të fillojë të marrë rregullisht ibuprofen. Më parë duhet të zhvillohen kërkime disa vjeçare për të kuptuar mekanizmin e plakjes tek njeriu dhe ndikimin që mund të ketë ibuprofeni. Po ashtu, nuk është e thënë që një kimikat që jep efekte pozitive tek kafshët do të ketë të njëjtat efekte për njeriun.

“Nuk e dimë si do të reagojë organizmi njerëzor. Nuk mendoj se është ide e mirë që njerëzit të fillojnë të marrin ibuprofen të nxitur nga ky studim”.

Bashkautorët e studimit Michael Polymenis dhe Brian Kennedy të Institutit për Kërkime mbi Plakjen pranë Universitetit Texas A&M bashkëpunuan në këto kërkime me studiues të tjerë në Shtetet e Bashkuara dhe Rusi. Rezultatet e studimit janë botuar në revistën shkencore PLOS Genetics.

XS
SM
MD
LG