Lidhje

Imigracioni në Virxhinia


Të dyja palët në debatin për imigracionin në Shtetet e Bashkuara deklaruan fitoren pas vendimit të Gjyktës së Lartë lidhur me ligjin e ashpër të imigracionit në shtetin e Arizonës. Gjykata e mbajti në fuqi një klauzolë të ligjit, që e lejon policinë lokale të kontrollojë statusin e imigracionit të njerëzve që ndalohen nga policia, apo arrestohen mbi disa baza të tjera ligjore. Por kritikët e ligjit argumentojnë se ligji ka pasoja të tjera të paqëllimshme, të cilat mund të paraqesin probleme ligjore në të ardhmen. Shteti i Virxhinias miratoi në vitin 2007 një ligj të ngjashëm.

Francisca Sorto është pronarja e restorantit “El Riconcito Latino” në kontenë Prince William të Virxhinias, ku ajo shërben specialitete si tamali, nga vendi i saj El Salvadori.

Pasi e hapi restorantin, ai shpesh mbushej plot. Por në javët e ardhshme ajo u detyrua ta mbyllte atë për shkak të mungesës së biznesit. Ajo thotë se shumë nga klientët e saj kryesisht latino, u larguan nga konteja e Prince William-it pasi në vitin 2007 hyri në fuqi një ligj i ngjashëm me atë të Arizonës.

“Njerëzit largohen nga Prince William County për shkak të ligjit të imigracionit, pra për t’i shpëtuar atij. Ata nuk duan më të jetojnë në këtë konte.”

Komuna e Prince William-it është një komunitet periferik, në jug të Uashingtonit. 20 për qind e banorëve të ligjshëm atje janë latino. Por atje ka edhe imigrantë të paligjshëm. Sipas policisë, disa imigrantë të paligjshëm presin çdo ditë para këtij dyqani, në kërkim të një pune ditore.

Një klauzolë e ligjit të Arizonës që u mbajt në fuqi muajin e kaluar nga Gjykata e Lartë i kërkon policisë të kontrollojë statusin e imigrantit për cilindo që ata ndalojnë, ose arrestojnë. Konteja e Prince Williamit e lejon këtë gjë vetëm pas arrestimit të njerëzve.
Shefi i kontesë, Corey Steward thotë se ligji u bë i nevojshëm pasi ndodhën disa krime të rënda, ku ishin përfshirë imigrantë të paligjshëm.

“Ka patur një rënie të theksuar të krimeve të dhunshme që kur ne filluam zbatimin e kësaj politike. Sipas statistikave të kontesë sonë, ritmi i krimeve të rënda është pakësuar tani me 48 për qind.”

Shumë njerëz nga forca policore e Kontesë së Prince William-it kanë patur shqetësime lidhur me këtë politikë. Shefi i Policisë, Charlie Deane thotë se kjo është arsyeja përse oficerët e policisë e kontrollojnë statusin e imigracionit vetëm pasi një person është arrestuar.

“Ndjenim që ishte diçka e paligjshme, por se kjo ishte një politikë me rrezik të lartë. Para arrestimit, ajo i ve oficerët e policisë në situata, kur ndaj tyre mund të ngrihen aktpadi, sipas të cilave ata nuk bëjnë sa duhet, ose në të kundërt, se ndërhyjnë më tepër se duhet.”

Aktivistë të komuntetit si Aracely Panameno, thonë se përveç ndikimit ekonomik dhe çështjeve ligjore, ligji e ka përçarë komunitetin. Ajo kujton që dikush i pati lënë një shënim në makinë, ku i thuhej të kthehej në vendin e saj, El Salvador. Si qytetare amerikane, ajo u ndje tepër e ofenduar.

“Ndjeva përçarjen që ekzistonte dhe urrejtjen ndaj nesh. Unë nuk mund të kthehem asgjëkundi, pasi ky është vendi im.”

Gjykata e Lartë e mbajti në fuqi një pjesë të ligjit të Arizonës, një klauzolë që e lejon policinë të kontrollojë statusin e imigracionit, duke dhënë paralajmërim. Gjykata ftoi personat e prekur nga ky ligj ta kundërshtonin atë në organin e drejtësisë. Deri më sot, nuk ka patur sfida të sukseshme ndaj ligjit të ngjashëm të kontesë së Prince Willimit. Por vendimi i muajit të kaluar i Gjykatës së Lartë i lejon njerëzit ta bëjnë një gjë të tillë.
XS
SM
MD
LG