Lidhje

Emigrantja afrikane flet për rolin në familje dhe në ushtri


Linda Arrey është e specializuar për t’u dhënë njerëzve këshilla për jetën, ajo ka koordinuar Miss Afrikën në Shteteve të Bashkuara dhe ka ofruar trajnime për korporatat.

Por Linda është gjithashtu në mesin e një numri në rritje të emigrantëve afrikanë që po shërbejnë në forcat e armatosura amerikane, një vendim që ajo thotë se prindërit e saj nga Kameruni nuk e prisnin që ajo ta bënte me një diplomë kolegji amerikan.

"Babai im donte që unë të studjoja për farmaci apo mjekësi dhe nuk i pëlqente profesioni që unë kisha zgjedhur. Por kjo ka ndryshuar, sepse ai tani është shumë krenar për mua dhe për arritjet e mija në fushën e ushtrisë", thotë kapitenia e Forcës Ajrore amerikane.

Linda është Shefe e informacionit dhe menaxhere e sigurisë për Grupin e 436 të Mjekësisë në një nga bazat më të mëdha të Forcave Ajrore në Dover të Delauerit

"Është e domosdoshme që pilotët tanë të jenë të gatshëm që shumë shpejt t’i kthehen fluturimit, nëse për ndonjë arsye ata janë të sëmurë dhe nuk janë në gjendje inkuadrohen në misionet ushtarake. Misioni i tyre lidhet me sigurinë kombëtare të vendit", thotë Christopher Gonzales, Kolonel në Forcat Ajrore Amerikane.

Linda thotë se ajo gjithnjë ka dashur të shërbejë në ushtrinë amerikane.

"Mua më pëlqen një karrierë, përmes së cilës mund të sjell ndryshim. Këtë po e realizoj përmes detyrës sime si Shefe e Informacionit, ose oficere e shërbimit mjekësor".

Ajo ka shfrytëzuar përvojën në Forcat Ajrore për të motivuar të tjerët dhe ka shkruar një libër me këtë temë, të titulluar “Memoir of a Working Mother” (Kujtimet e një Nëne që punon”). Linda thotë se librin ia ka dedikuar nënave që punojnë dhe përpiqen "të krijojnë një ambient dashurie për familjet, janë të sukseshme në karrierën e tyre jashtë shtëpisë dhe nuk pendohen për këtë."

"Dua ta kem këtë libër, që të më ndihmojë të arrij një balancë në jetë. Kjo është e rëndësishme për ne gratë që kemi kaq shumë role në jetë", thotë një nënë që mori pjesë në ceremoninë e promovimit të librit.

"Ajo më frymëzon që edhe unë të shkruaj historinë time, të shkruaj për jetën time", thotë një nënë tjetër.

Vëllai i Lindës, Doktor Takor Arrey-Mbi thotë se jeta e motrës së tij tregon për mundësitë që kanë njerëzit.

"Ndonjëherë mund të ketë konflikt mes rolit në punë dhe rolit si nënë. Dhe pikërisht ky ekuilibër mes përgjegjësisë në punë dhe përgjegjësisë si nënë, për të cilin flet ajo, është i nevojshëm. Nuk mund të jesh një nënë e

përkryer dhe një ushtare e përkryer në të njëjtën kohë. Duhet të sakrifikosh diçka."

Bashkëshorti i Lindës, Tsé Nkwenti, thotë se angazhimi i bashkëshortes së tij është një dëshmi e mirë për vajzat e tyre, se në jetë nuk ka kufizime.

“I them çdo ditë që unë dua ta shoh atë të përparojë dhe një ditë të bëhet madje edhe gjenerale. Ajo i ka të gjitha për të arritur në këtë pikë. Mendoj se ky do të jetë një shembull i mirë për vajzat tona. Kur ato shohin arritjet e nënës së tyre duke mbrojtur vendin si pjesë e forcave ajrore amerikane, mendoj se edhe ato do ta ndjekin shembullin e saj”.

Linda thotë se suksesi në karrierën e saj ka të bëjë me ekuilibrin, një familje që e mbështet, kolegët që përhrahin angazhimin e saj për fuqizimin e grave dhe një ushtri ku vlerësohet kontributi i emigrantëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG