Lidhje

Pas dëbimit të emigrantëve mungon krahu i punës

  • Bill Rogers

Një zonë rurale në Pensilvani po përballet me pasojat e ashpërsimit të politikave të administratës Trump ndaj emigracionit të paligjshëm. Bizneset dhe ekonomia kryesisht agrare po përballet me mungesën e punëtorëve. Disa fermerë të drurëve frutorë dhe aktivistë vendas pro-emigracionit janë bashkuar për të lobuar ligjvënësit dhe për të rritur ndërgjegjësimin për kontributin e emigrantëve, në një zonë që votoi në mënyrë masive vitin e kaluar për Presidentin Donald Trump.

Makinat klasike garojnë gjatë një panairi në bashkinë Adams, të Pensilvanisë.

Në këtë periudhë, këtu mblidhen njerëz nga mbarë rajoni.

Shumica thonë se votuan për Donald Trump-in në zgjedhjet e vjetshme.

Kim Sanders, e cila punon në një kompani transporti, mbështet me forcë Presidentin.

“Mendoj se ai po punon mirë, por media nuk i jep imazh pozitiv”, thotë Sanders.

Por, si shumë të tjerë, kur pyetet rreth politikave të Presidentit Trump për emigracionin, zonja Sanders është kundër dëbimit të emigrantëve pa dokumente.

“Nuk ka mjaftueshëm amerikanë që të punojnë në ferma për të mbjellë pemët apo për të mbledhur zarzavate, siç bëjnë emigrantët”, thotë ajo.

Kjo nuk është për t’u habitur në një zonë që varet nga bujqësia. Papunësinë këtu e ka mbajtur të ulët ekonomia e prodhimit të frutave, si dhe turistët që vijnë për të parë fushëbetejën historike në Gettysburg.

Ata që janë të papunë vijnë tek “CareerLink”, agjensia shtetërore që i ndihmon të gjejnë punë.

Por, pak prej tyre thonë se janë të gatshëm të bëjnë punën që bëjnë emigrantët hispanikë.

Ish-saldatori Glenn Hendrickson ndihmon si konsulent karriere.

“Kam shumë miq që kanë punuar gjatë verës duke mbledhur fruta, kur kanë qenë në shkollë të mesme, por nuk mendoj se duan ta ushtrojnë këtë si profesion”, thotë zoti Hendrickson.

Megjithatë, punëdhënësit e kanë tani të vështirë të plotësojnë vendet e punës të mbetura nga largimi i emigrantëve.

Administratori i “CareerLink”, Alan Dudley, thotë se kjo po ndodh në një periudhë

“Tani është sezoni i punësimit masiv. P.sh., firma ‘Knouse Foods’ shpalli tetë vende të reja pune këtë javë nëpërmjet nesh. Tani është e vështirë të gjejnë punëtorë”, thotë zoti Dudley.

Ndërsa ka filluar mbledhja e pjeshkëve, fermerët janë të shqetësuar se nuk do të kenë mjaftueshëm punëtorë për sezonin e mbledhjes së mollëve që pason.

Fermerja Kay Hollabaugh është e zemëruar me Kongresin që nuk e realizoi reformën e emigracionit.

“Ata që bëjnë ligjet e këtij vendi ushqehen çdo ditë. Dhe nuk u shkon mendja se kjo që unë po ha, dikush është duke e rritur në fermë”, thotë zonja Hollabaugh.

Ligjvënësi republikan Scott Perry, i cili përfaqëson distriktin që përmbledh bashkinë Adams, ka marrë shumë ankesa të tilla.

Gjatë pjesëmarrjes në një aktivitet të komunitetit, ligjvënësi thotë se fillimisht duhet siguruar kufiri dhe më pas të bihet dakort për një reformim të emigracionit.

“Derisa të bindemi që kufiri të jetë i sigurtë, do të vazhdojë të ketë mosbesim. Do të vazhdojmë të kemi vështirësi në mënyrën se si do të trajtojmë njerëzit që kanë ardhur këtu ilegalisht”, thotë ai.

Ndërkohë, aktivistë pro-emigracionit po organizojnë në Gettysburg manifestime të rregullta për të rritur ndërgjegjësimin.

Organizatorja Jenny Dumont e hedh poshtë argumentin për sigurinë e kufirit.

“Mendoj se ky argument është pjesë e lojës që i paraqet emigrantët si kriminelë, të nxitur nga administrata aktuale. Ndjesia ime është se njerëzit që kanë patur kontakte me emigrantët këtu, e mirëkuptojnë kontributin e tyre dhe janë në gjendje t’i shikojnë si thjesht njerëz dhe jo t’i emërtojnë vetëm si emigrantë”, thotë zonja Dumont.

Në fermat e pemëve frutore, punëtorët po seleksionojnë frutat. Sapo të hyjë vjeshta, mollët e mbetura në pemë do të jenë të gatshme për t’u vjelë. Fermerët nuk janë të sigurtë nëse do të kenë mjaftueshëm punëtorë që t’i mbledhin ato.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG