Lidhje

Shqipëri, shumica propozon “askush me imunitet”


Deputetët e së djathtës dhe aleatët e tyre dorëzuan sot nismën që zhvesh nga mbrojtja ligjore zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët. Mundësi të kufizuara ndërhyrje nga parlamenti edhe për arrestimet

Në Shqipëri deputetët e shumicës së djathtë dorëzuan sot propozimin e tyre për cështjen e imuniteteve. Në ndryshim nga varianti i tanishëm të gjithë zyrtarët e lartë dhe deputetët, por edhe gjyqtarët zhvishen nga mbrojtja ligjore që u jepte imuniteti. Për deputetët arrestimi apo kontrolli i banesës mund të anullohet vetëm nëse parlamenti vlerëson se cënohet funksionimi i tij. Në rastet e arrestimeve të gjyqtarëve është gjykata kushtetutese për anëtarët e saj dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë që vendosë nëse do të lerë në fuqi apo jo këtë masë. Propozimet kërkojnë ndryshim të kushtetutës e për pasojë edhe konsensusin e opozitës.

Pas një periudhe të gjatë polemikash dhe deklaratash publike në favor të heqjes së imuniteteve, nga të dyja palët, shumica e djathtë ka bërë një hap konkret duke dorëzuar sot një nisëm legjislative për këtë cështje. Tashmë debati do të kalojë në një terren ligjor. Edhe socialistët janë deklaruar në favor të heqjes apo kufizimit të imuniteteve. Mbetet të shihet nëse do të gjendet një marrëveshje për formulën e propozuar nga e djathta e cila praktikisht i zhvesh të gjithë zyrtarët, ministrat, deputetët dhe gjyqtarët nga imuniteti, duke i lënë një mbrojtje të lehtë vetëm ndaj arrestimeve.



Kështu në rastin e deputetit theksohet se “ai nuk mund të arrestohet ose të privohet nga liria personale e tij në ndonjë formë, dhe ai nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit vetjak ose të shtëpisë së tij/saj në qoftë se dhe për sa kohë, Kuvendi (ose një organ i caktuar i tij) kërkon zbatimin e imunitetit te deputetit ndaj këtyre masave”, por sipas të njejtit nen të propozuar Parlamenti, i cili “duhet të njoftohet menjëherë sapo që nis të ekzekutohet ndonjëra nga masat e mësipërme, mund ta kërkojë zbatimin e imunitetit vetëm me arsyen se po cenohet ndjeshëm funksionimi i Kuvendit”. Një përcaktim që le hapësira interpretimi për rastet se kur konsiderohet i cënuar ndjeshëm funksionimi i parlamentit.

Në rastin e gjyqtarëve, si ata të kushtetuteses apo dhe gjyqtarëve të thjeshtë, po ashtu, imuniteti reduktohet thuajse tërësisht, por në rastin e arrestimit është vetë Gjykata kushtetuese apo Këshilli i lartë i Drejtësisë që vendos të mbajë në fuqi apo këtë masë. Imuniteti ndërkohë hiqet plotësisht për anëtarët e qeverisë, kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Avokatin e popullit.

Në propozimin të bërë nga deputetët e shumicës është mbajtur parasysh përkthimi në shqip i formulimit të paraqitur nga misioni Paca i Këhsillit të Europës në rastin e deputetëve dhe ai i misionit Euralius, i Bashkimit europian në rastin e imunitetit të gjyqtarëve. Cështja e imunitetit është ngritur disa herë edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Bashkimi europian e ka vlerësuar si një masë të domosdodshme në luftën ndaj korrupsionit në nivelet e larta të politikës.
XS
SM
MD
LG