Lidhje

Shqipëri, parlamenti për kufizimin e imuniteteve


Vendimi u përshëndet menjëherë nga përfaqësuesit diplomatikë të Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe OSBE-së në Tiranë

Në Shqipëri parlamenti votoi mbrëmë në unanimitet ndryshimin e kushtetutës për kufizimin e imuniteteve ndërsa shumica rrëzoi propozimet e socialistëve që lidheshin me sistemin e Drejtësisë. Për kryeministrin Berisha kufizimi i imunitetit ishte një ngjarje historike. Socialistët të cilët dhanë votën në favor pavarësisht rrëzimit të paketës së tyre, akuzuan qeverinë se ka vënë nën kontroll Drejtësinë e se për këtë nuk besojnë se kufizimi i imunitetit do të cojë në ndëshkimin e korrupsionit qeveritar, u shpreh kryetari grupit socialist Gramoz Ruci. Vendimi i mbrëmshëm i parlamentit u përshëndet menjëherë nga përfaqësuesit diplomatikë të Bashkimit europian, Shteteve të Bashkuara dhe Osbe-së në Tiranë

Më shumë se sa për imunitetin, debatet e gjata në parlament u përqëndruan në paketen e propozimeve të socialistëve për disa ndërhyrje që preknin sistemin e Drejtësisë dhe procesin e emërimeve në Gjykatën e lartë, Gjykatën Kushtetues dhe të Prokurorit të Përgjithshëm duke i realizuar me tre të pestat e parlamentit dhe jo me shumicë të thjeshtë sic ndodh aktualisht. Sipas opozitës ato do të forconin pavarësinë e institucioneve dhe të vetë gjykatësve.

Por kryeministri Sali Berisha tha se opozita nuk mund të jetë e besueshme në propozimet e saj e cila sipas tij kishte heshtur për shkatërrimin që I bënë sistemit të Drejtësisë ish presidenti Bamir Topi dhe ish nënkryetari I Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu: “Sa të besueshëm jeni ju , kur tani që ju iku Topi, tani që ju iku faqeziu , tani bërtisni pavarësi e institucioneve? Rroftë pavarësia. Por ku konsiston pavarësia, tek Topi dhe tek ai që krijon parti politike në institucionet kryesore të vendit? Atë quani ju pavarësi? Pse nuk u ngritët ju për pavarësi institucionesh, kur ata montonin për vete aferat prej 500 mijë metrash katrorë në bregdet?”

Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci u përgjigj duke deklaruar se besueshmëria dhe eficenca e sistemit të Drejtësisë është në pikën më të ulët duke akuzuar për këtë qeverinë dhe shumicën në pushtet: “Po kryeministër jemi të shqetësuar për këtë punë për arsye se perceptimi i publikut shqiptar për sistemin e drejtësisë është ku thërret qameti. Po z.kryeministër i bëmë tashti se rekomandimet e ekspertëve vendas dhe të huaj janë që domosdoshmërish duhen bërë ndryshime në sistemin e drejtësisë. Po z.kryeministër i bëmë tani se arrnimet me pe të bardhë në rrobë të zezë, që kërkon të bësh në emër të reformave në sistemin e drejtësisë, jo vetëm që nuk e përmirësojnë, por e përkeqësojnë akoma më tej”.

Sipas kryeministrit Berisha propozimet e socialistëve ishin të papranueshme pasi do të conin në bllokimin e institucioneve kushtetuese: “Ne pranuam çdo propozim tuajin për imunitetin. Rrëzuam teza që i kishim pranuar për vite të tëra. Kemi qenë të vendosur për mos ndryshim të kushtetutës, u tërhoqëm, kemi qene të vendosur për kontroll banese pa leje, por u tërhoqëm dhe këto janë të faktuara në dokumenta. Por nuk mund të pranojmë kurrë shkatërrimin dhe paralizën e institucioneve kushtetuese, siç ndodhi me Ombudsman-it që e latë dy vjet pa kokë. Nuk mund të bëjmë këtë se demokracia pastaj humbet çdo kuptim, nuk mund të bëjmë këtë që të vendosim këtu sundimin e pakicës mbi shqiptarët”.

Pavarësisht qëndrimit të prerë refuzues të shumicës ndaj propozimeve të tyre, socialistët dhanë mbështetje të plotë për imunitetet ndryshe nga një muaj më parë kur thuajse i kishin lidhur ngushtësisht të dyja cështjet. Zoti Ruci megjithatë tha se nuk besonte se kufizimi I imuniteteve do të sillte në ndëshkimin e korrupsionit qeveritar, u shpreh ai: “Imunitetin nuk ta japim ty. E japim për veten tonë. E japim për qytetarët shqiptarë. E japim sepse perceptimi i publikut shqiptar dhe besueshmëria e publikut shqiptar ndaj ne politikanëve është në nivelin zero. Dhe kjo është përgjegjësia juaj. Ne s’kemi pse të bëhemi avokatë të imunitetit. S’kemi pse të bëhemi avokatët e korrupsionit tuaj. Por ne nuk kemi aspak besim se korrupsioni juaj do ndëshkohet si rezultat i heqjes së imunitetit. Pse?! Se prokurori thotë të arrestohet, ti i thua unë të ndaloj. Se Gjykata Kushtetuese merr vendime ti se zbaton. Se Gjykata e Lartë merr vendime ti se zbaton. Se Gjykata Apelit merr vendim e ti se zbaton. Se Gjykata e Shkallës së Parë merr vendim e ti se zbaton”.

Votimi për imunitetin u bë në konsensus të plotë. Falë këtij konsensusi u anashkalua shkelja dy herë e procedurave, njëra që parashikon një seancë të posacme të parlamentit për votimin e ndryshimeve kushtetuese, dhe tjetra që lidhet me paketën e ndryshimeve kushtetuese të socialistëve e cila sipas rregullore nuk mund të kalonte për miratim pa u mbushur dy javë nga vendimi I Këshillit të legjislacionit. Nën trysninë e fortë ndërkombëtare, por sidomos asaj publike të ushtruar nga shumica e cila thuajse përditë e akuzonte se po bëhej pengesë për statusin kandidat, socialistët hoqën dorë thuajse lehtësisht nga ajo që e kishin nisur si një betejë të fortë për reformimin e sistemit të Drejtësisë.

Me kufizimin e imuniteteve Shqipëria plotëson një tjetër kërkesë të Brukselit. A do të mjaftojë për të garantuar Statusin? Një tjetër kërkesë, e renditur si ndër më kryesoret krahas reformës zgjedhore, ajo e procedurave parlamentare ka mbetur në vend. Dhe për këtë reformë asnjëra nga palët nuk ndihet. Eshtë vetëm Brukseli që e nënvizon në mënyrë të përsëritur, sic bëri edhe dje komisioneri Fyle gjatë takimit me presidentin BUjar Nishani, ndërsa theksoi se , “Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet e saj për të ndërtuar një gjyqësor të pavarur dhe efektiv dhe për të vendosur një bilanc solid në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
XS
SM
MD
LG